13 korrik 2015 – Është mbyllur të dielën në mbrëmje festivali i 10-të i muzikës së dhomës organizuar në gjashtë ditë në muzeun arkeologjik të Durrësit.
Mbrëmja është mbyllur me “katër stinët” e Vivaldit, pjesë të luajtura në violinë nga Wolfgang David nën drejtimin e Kostantin Ilievskit.
David ka koncertuar në skena të rëndësishme të muzikës në botë si Konzerthaus dhe Muzikverein në Vienë, Carnegie hall në New York, Cerritos Center në Los Angeles e të tjera skena prestigjioze. Wolfgang David luan me një violinë të punuar nga Carlo Bergonzi, Cremona pas vitit 1724, dhënë atij nga Banka Kombëtare Austriake.
Ndërsa, Kostantin Ilievsky u lind në Bullgari në një familje të njohur muzikantësh, diplomohet për piano dhe dirizhim koral dhe orkestral, më pas studion në universitetin e muzikës në Vienë. Si pianist ai ka koncertuar si solist me orkestra të ndryshme në Europë dhe si kompozitor ka shkruar pjesë të ndryshme që janë interpretuar dhe regjistruar në skena të ndryshme të Europës.
Pjesëmarrës gjithashtu me ansamblin “Stinët” ishin dhe instrumentistë të rinj që performuan pjesë të ndryshme orkestrale. Mbrëmjen e fundit e kanë ndjekur nga afër instrumentistë dhe artistë të njohur të skenave tona midis të cileve dhe maestro Zhani Ciko.
Organizatore e këtij festivali ishte shoqata “Arti dhe kultura Italo-Shqiptare” nën drejtimin artistik të Nevila Kalasë-Herczegh. Në gjashtë ditët e këtij festivali performuan instrumentistë të huaj dhe ata shqiptarë, duke ndërthurur kështu eksperienca dhe kultura të ndryshme muzikore.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/