10 korrik 2015 – Rritet ndjeshëm interesi për të vizituar objektet e trashëgimisë kulturore në qytetin e Durrësit. Referuar statistikave, specialistë nga Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare konfirmojnë se vetëm në 6-mujorin e parë të këtij viti, numri i vizitorëve është rritur me rreth 10 mijë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ku të huajt mbajnë dhe peshën kryesore të numrit total të vizitorëve.
Kjo rritje e numrit të vizitorëve lidhet edhe me hapjen e muzeut arkeologjik në mars të këtij viti. Amfiteatri dhe Muzeu Arkeologjik rezultojnë objektet më të vizituara për periudhën janar-qershor 2015. Në dy objektet e sipërcituara janë regjistruar në total afro 14 mijë vizitorë me dhe pa biletë, nga të cilët 3329 janë të huaj.
Numri i vizitorëve pritet të vijë në rritje, pasi së shpejti do të hapet edhe kati i dytë i Muzeut Arkeologjik. Specialistë të kësaj drejtorie bëjne me dije se ka një projekt për çeljen e hamamit të Durrësit, për ta bërë edhe atë të vizitueshëm për publikun.
Hamami i Durrësit është ndërtuar në shekullin XVIII me arkitekturë tipike nga periudha turke, ku në qendër është një kupolë sferike me lartësi 5.8 metra pajisur me 12 dritare të vogla për ajrosje.
Përfundimi i punës për këtë projekt pritet më pas të marrë miratimin e Këshillit Kombëtar të Restaurimeve .
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/