4 korrik 2015 – Mosfunksionimi i semaforëve në një pjesë të rrugëve të qytetit bregdetar, jo vetëm rrit kaosin në trafik, por njëkohësisht rrit ndjeshëm propabilitetin e aksidenteve rrugore.

Semaforët aktualisht funksionojnë vetëm në dy akse rrugore, në atë të hyrjes së Durrësit dhe në unazën e Shkozetit, ndërkohë në shumë kryqëzime apo rrugë kryesore, semaforët për fat të keq nuk funksionojnë, madje prej shumë kohësh.

Situata bëhet më shqetësuese sidomos në rrugët ku ngarkesa e qarkullimit rrugor është edhe më e madhe, siç është rruga kryesore e plazhit, e njohur si rruga ‘Pavarësia” nga ura e Dajlanit deri në Plepa.

Për shkak te sezonit  veror, trafiku në këtë aks rrugor rëndohet së tepërmi, sidomos në fundjavë ku mijëra qytetarë durrsakë dhe jo vetëm, frekuentojnë plazhin e Durrësit. Drejtuesit e mjeteve dhe këmëbsorët e shumtë ndihen të shqetësuar nga kjo  situatë.

Semaforët, këta rregullatorë elektronikë të trafikut rrugor, do të disiplinonin ndjeshëm qarkullimin rrugor duke reduktuar dhe ulur ndjeshëm mundësine e aksidenteve rrugore shpesh edhe me humbje në jetë njerëzish.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/