2korrik 2015 – Në muzeun arkeologjik të Durrësit, për herë të parë pas rikonstruksionit që përfundoi në janar të këtij viti do të organizohen 6 koncerte me muzikë klasike.  Edicioni i 10-të i Festivalit Ndërkombëtar të Muzikës së Dhomës, që starton ditën e shtunë, do të zhvillohet plotësisht në mjediset e rinovuara të muzeut më të madh arkeologjik të vendit tonë.
Hapësirat e monumenteve dhe muzeve të qytetit të Durrësit gjatë 20 viteve të fundit janë shfrytëzuar shumë herë nga artistët e gjinive të ndryshme. Festivale muzikore, kinematografike apo poetike janë organizuar në arenën dhe galeritë e amfiteatrit të lashtë, në muzeun etnografik, në Torrën mesjetare, në forumin rrethor dhe në muzeun arkeologjik të qytetit antik.
 

Organizatorët thonë se kjo është një formë shumë e mirë për promovimin e monumenteve arkeologjike dhe historike, si dhe për interpretimin e artistëve në mjedise jashtë sallave koncertore.

 

 

Agjencia e lajmeve "Dyrrah"