23 qershor 2015 – Erion Veliaj është fituesi për Bashkinë e Tiranës.
Kandidati i majtë fitues ka dalë publikisht për herë të parë pas zgjedhjeve të 21 qershorit, duke e cilësuar si spektakolare fitoren e ASHE-së në kryeqytet dhe në mbarë vendin.
“Kjo është një ditë jashtëzakonisht e rëndësishme për mua dhe ASHE, pasi na kanë ngarkuar me përgjegjësinë e ndryshimit të madh e historik të Tiranës.
Nëse dikush ishte dyshues për efektet e reformës së re administrative, apo ishte cinik për qytetarinë e këtij vendi dhe demokracinë e tij, sot ka një përgjigje: qytetarët dolën masivisht në votime dhe i dhanë fitoren ASHE-së.
Me këtë fitore shumica e shqiptarëve vendosi ta çojë Shqipërinë në drejtimin e duhur, ndaj për këtë jemi mirënjohës dhe të përulur.
Atyre që nuk na kanë votuar u them se respektoj vendimin tuaj, dhe zotohem se do të jem kryeshërbëtori i të gjithëve”, deklaroi Veliaj.
Një mirënjohje të veçantë kryetari i ri i Bashkisë së Tiranës shprehu për kryeministrin Rama, kreun e Kuvendit Ilir Meta, ministrin Saimir Tahiri, aktivistët e PS-së, LSI-së, PDIU-së dhe partive të tjera, që i trajtuan zgjedhjet si një garë të përbashkët për ASHE-në.
Gjithashtu, nuk mungoi dhe një vlerësim nga ana e tij për kandidatët e tjerë që ishin në garë për kryeqytetin.
/S.L. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





