23 qershor 2015 –Numërimi në Bashkinë e madhe të Durrësit po vijon, por duke u nisur nga diferenca e thellë prej mbi 10 mijë votash në avantazh për Vangjush Dakon, deputeti socialist Namik Dokle, uron mikun e tij, për fitoren që do të bëhet publike me përmbylljen e numërimit.

Përmes një statusi në “Facebook”, Dokle tregon që është tepër i kënaqur nga fitorja e një prej miqve të tij më të mirë, duke treguar se Dako ua fitoi zemrën dhe mendjen durrsakëve me punë, e jo me fjalë.

Statusi i plotë i Namik Dokles:

“Fitorja e Vangjush Dakos…

Më dha kënaqësi të veçantë, jo vetëm pse është një nga miqtë e mi më të mirë, por edhe për disa arsye të tjera:

– Nga të gjitha bashkitë e mëdha, vetëm Durrësit iu bashkuan komuna me mijëra vota negative.

– Ishte kandidati nga më të sulmuarit nga Berishe-propi.

-Ua fitoi zemrën dhe mendjen durrsakëve jo me fjalë, por me punën për ta bërë Durrësin qytet modern europian.

-Paraqiti para qytetarëve një projekt ambicioz dhe konkret, jo vetëm për katër vjet, por edhe për "Durrës-2030"

– I tregoi ndonjë “analisti” se njerëzit duan njeriun e përkushtuar dhe vizionar, dhe jo “mjegullën në pantallona” që hedhin ata…

Bravo dhe suksese, miku im!”

/S.L. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/