21 qershor 2015 – Gjatë kryerjes së shërbimit për ruajtjen e qendrave të votimit, strukturat e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Durrës nuk kanë konstatuar asnjë problem.

Dorëzimi i qendrave të votimit nga strukturat e policisë së Durrësit ka filluar që prej orës 06:00 të mëngjesit të 21 qershorit, sipas të gjitha kërkesave ligjore me proces-verbalet përkatëse të komisionit të votimit.

Procesi i dorëzimit ka përfunduar në të gjithë qarkun rreth orës 07:15 minuta, dhe të gjitha qendrat e votimit së bashku me materialet zgjedhore janë dorëzuar në rregull nga ana e punonjësve të policisë së Durrësit.

Pasi kanë dorëzuar qendrat e votimit, të gjithë punonjësit e policisë janë grumbulluar në ambientet e përcaktuara për ta gjatë procesit zgjedhor.

Blutë e Durrësit njoftojnë se strukturat e policisë gjatë gjithë procesit do të zbatojnë me përpikmëri ligjin dhe do të jenë të angazhuar për garantimin e rendit.

/S.L. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/