18 qershor 2015 – Punimet e një kompanie interneti që nuk arritën të bëjnë riparimin e dëmtimit të rrjetit elektrik shkaktuan vdekjen e 15-vjeçarit A.Kllogjri mbrëmjen e së mërkurës në Durrës. Policia e Durrësit, pasi ka verifikuar ngjarjen, nxori konkluzionin se pikërisht punimet private në lagjen 16 shkaktuan dhe tragjedinë. Për këtë arsye u shoqëruan inxhinieri dhe punëtori.

“Nga veprimet e para hetimore rezultoi se 15-vjeçari ka qenë duke ecur në Rrugën “Mbreti Gert” dhe ka rënë në kontakt me rrymën elektrike,e cila i ka shkaktuar vdekjen. Nga këqyrja e vendit të ngjarjes dhe veprimet e para hetimore rezulton se kablli elektrik i ndriçimit rrugor që shtrihet përgjatë rrugës “Mbreti Gert”ishte i dëmtuar, i zhveshur, si rezultat i punimeve të kryera nga ana e një kompanie për shtrirjen e rrjetit të internetit në këtë zonë,e cila më pas nuk ka bërë riparimin e dëmtimit të rrjetit elektrik sipas rregullave teknike. Deri tani janë shoqëruar në ambjentet e Komisariatit të Policisë Durrës, inxhinieri dhe punëtori që kanë kryer punimet për llogari të kësaj kompanie”, bëri të ditur policia.

 

 

 

 

 

 

Agjencia e lajmeve “Dyrrah”