15 qershor 2015 – Aplikuesit e Lotarisë 2015, duhet të kontrollojnë sërish statusin pasi mund të dalin fitues. Të gjithë qytetarët që aplikuan për Lotarinë Amerikane 2015 dhe nuk janë shpallur fitues, kanë ende një shans të fundit për t’u përzgjedhur. Bëhet fjalë jo për ata persona që kanë aplikuar vitin e fundit, por për të gjithë ata që e kanë hedhur Lotarinë më herët, në nëntor të vitit 2013, për të fituar Lotarinë e vitit 2015. Këta persona e kanë marrë përgjigjen më datë 1 maj 2014, por pavarësisht se përgjigja ka dalë negative, ata duhet ta kontrollojnë edhe një herë për t’u siguruar nëse kanë fituar ose jo.

Fituesit e rinj

Ambasada Amerikane informoi pesë ditë më parë në faqen e saj zyrtare në ‘Facebook’ se, në fazën e përzgjedhjes së fituesve ka pasur një problem teknik në faqen e Kontrollit të Statusit të të Regjistruarve, dhe si pasojë e kësaj, jo të gjithë fituesit e kanë marrë përgjigjen pozitive. Ndaj dhe për këta persona është lënë një afat i dytë, ku deri më 30 qershor 2015 ata kanë mundësi që të kontrollojnë sërish statusin prej nga ku mund të marrin një përgjigje pozitive.

Ja si mund të kontrolloni

“Qendra Konsullore Kentucky (QKK) ka shpërndarë një postë elektronike (e-mail) të gjithë personave që janë regjistruar për Programin e Lotarisë DV-2015. Ky mesazh citon që për shkak të një problemi teknik në faqen e Kontrollit të Statusit të të Regjistruarve më datë 1 maj 2014, disa të regjistruarve, të cilët kanë vizituar këtë faqe për të mësuar rreth statusit të aplikimit të tyre, u ka dalë informacioni i gabuar. Ju duhet të kontrolloni përsëri statusin tuaj për të mësuar nëse jeni përzgjedhur ose jo. Ju duhet të përdorni numrin tuaj të konfirmimit nëpërmjet Kontrollit të Statusit të tё Regjistruarve (Entry Status Check), në faqen e internetit www.dvlottery.state.gov nga 1 maji 2014 deri të paktën më 30 qershor 2015. Kontrolli i Statusit të tё Regjistruarve është mënyra e vetme që do t’ju njoftojë për përzgjedhjen dhe do t’ju ofrojë udhëzime të mëtejshme sesi të vazhdoni aplikimin, t’ju njoftojë për datën dhe orën e takimit të intervistës për vizë”, sqaron Ambasada Amerikane.
 

E-mail-et mashtruese

Ambasada u rekomandon qytetarëve që të bëjnë kujdes nga mesazhet mashtruese. Nëse ju keni marrë një postë elektronike që ju njofton se aplikimi juaj për programin e Lotarisë Amerikane ishte fitues dhe në mënyrë që të vazhdoni me aplikimin tuaj ju duhet të dërgoni një shumë të hollash (para) në emër të një personi, ju jeni viktimë e një mashtrimi.

“QKK-ja nuk do t’ju kërkojë juve t’u dërgoni para atyre, kësaj ambasade, apo ndonjë ambasade tjetër të SHBA-së me postë, apo shërbime të tilla si Western Union. Nëse ju merrni një e-mail që ju duket të jetë një njoftim mashtrimi me Lotarinë DV, ne ju kërkojmë që ju ta dërgoni atë e-mail në adresën tonë të postës elektronike [email protected]”, sqaron më tej ambasada. Ajo iu kërkon qytetarëve që të lexojnë më shumë në faqen e internetit të Ambasadës Amerikane në Tiranë mbi mashtrimin. Gjithashtu, qytetarët mund të kontrollojnë Paralajmërimin e Departamentit të Shtetit dhe Paralajmërimin e Komisionit Federal të Tregtisë mbi mashtrimet me Lotarinë DV (në anglisht).

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/