12 qershor 2015 – Në një kohë që kandidatët për kryetar bashkie të Durrësit premtojnë më shumë hapësira publike për pushuesit që do të zgjedhin plazhet e këtij qyteti për të kaluar pushimet verore, ka qenë këshilli bashkiak ai që ka miratuar 9 ditë para zgjedhjeve vendore raportin e plazheve publike e private.

Në mbledhjen e fundit për këtë mandat, këshilltarët e majtë me 24 vota pro kanë miratuar raportin e ndarjes 20 % plazhe publike, kundrejt 80 % plazhe private. Mbledhja u bojkotua nga këshilltarët e PD-ës të cilët nuk ishin të pranishëm, por, ka qenë këshilltari i PR-së, i cili kundërshtoi raportin e plazheve të miratuara, për shkak të procedurave ligjore të cilat konsistonin në shfuqizimin e ligjit të mëparshëm, ku 40 për qind të hapësirave ishin lënë plazhe publike.

Të majtët u justifikuan me faktin se është një vendim i Këshillit të Ministrave ai që i ka paracaktuar raportet e ndarjes së plazheve dhe se këshilli bashkiak nuk mund të dalë kundër këtij vendimi. Plazhet publike janë caktuar në tre sektorë: në atë të plazhit publik të Durrësit, në plazhin e Currilave si dhe plazhin e Porto Romanos. Rezerva nga ana e këshilltarëve ka pasur edhe për mënyrën e menaxhimit të plazheve, kryesisht ato publike, që pavarësisht ndarjes ata zaptohen në mënyrë abuzive nga privati.

 

 

 

 

 

 

 

Agjencia e lajmeve “Dyrrah”