12 qershor 2015 – Një efektiv i Policisë Rrugore është përjashtuar nga Policia e Shtetit, pasi ka fyer një drejtues makine, të cilin e kishte ndaluar me pretendimin se kishte bërë shkelje. Video amatore është filmuar nga një person tjetër që ishte në automjet me shoferin, i cili gjatë debatit me policin i thotë se është inxhinier ndërtimi dhe se ishte korrekt gjatë qarkullimit me makinë.

Por, nga ky moment efektivi i është kthyer me fyerje, duke i thënë “jabanxhi, të këpus në mes të vish vërdallë”.  

Debati i plotë mes shoferit dhe policit:  

Shoferi:Po ironizoni shumë me mua, mund ta verifikoni unë jua kam dhënë çfarë ju deshët. Kam kaluar me jeshile tani e po më thoni që ti nuk di patentën e keni marrë me lekë.

Polici: Je në punë?

Shoferi: Jam në punë, jam inxhinier ndërtimi

Polici: Ndërtimi?

Shoferi: Dhe nuk jam ndaluar asnjëherë në mënyrë të tillë, kam qenë korrekt.

Polici: Po ça korrekt, ik se je jabanxhi, ik se të këputa në mes, do të bëj të vish vërdallë, të këputa në mes.  

Pas publikimit të videos, ka ardhur një reagim nga ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, i cili shprehu një falënderim ndaj qytetarit që ka denoncuar shkeljen nga ana e efektivit.  

“Policia që duam, jo më të tillë punonjës policie. Sjellje e patolerueshme dhe e dënueshme. U informova se ndaj punonjësit të policisë u mor masa e përjashtimit nga Policia e Shtetit. Faleminderit qytetarit për denoncimin dhe portalit për publikimin”, ka deklaruar Tahiri në Facebook.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/