Nga Andi Bushati
27 maj 2015 – Megjithë kujdesin gati farmaceutik për të mos shkaktuar një “provokacija” të re, gjatë konferencës për shtyp në Pallatin e Brigadave, Aleksandër Vuçiç nuk i shpëtoi dot përdorimit të termit: “Shqipëri e madhe”. Me gjithë merakun e ruajtjes nga një incident, ai arriti sërish të evokojë atë që përjetuam gjysmë viti më parë.
Si një nga ata pak shqiptarë që ishin të pranishëm si në stadiumin “Partizani”, po ashtu dhe gjatë përplasjes proverbiale në pallatin Serbia, mund të them me gojën plot se midis dy vizitave ka një hendek të madh.
Më kujtohen thirrjet në stadium për vdekjen e shqiptarëve. Më kujtohet gjithashtu, pas incidentit me droning atë mbrëmje tetori, se si u përpunuan menjëherë teori konspirative. Se si u përfshi në kopmplot vëllai i kryeministrit shqiptar, se si mediat shkruan për një regji politike dhe të mirë organizuar dhe se si u krijua një furtunë e vërtetë në gotë, e denjë për Ballkanin e shekullit të kaluar.
Të gjitha këto ndikuan edhe në vizitën e parë të një kryeministri shqiptar në Beograd, e cila pas disa shtyrjesh të pakuptimta u realizua në 10 nëntor. Të gjithë ne gazetarët që ishim në atë sallë konferencash e pamë heqjen e kufjes së protestës nga Vuçiçi. Ishim aty për të dëshmuar se si presidenti Nikoliç nuk pranoi ta presë Ramën në takim. Se si kryebashkiaku i Beogradit refuzoi t’i japë “Çelësin e Qytetit ». Pamë me sytë tanë edhe gazetat e të nesërmes. Titujt e tyre qenë skandalozë. Në këtë korr nacionalist nuk bënin përjashtim as të përditshmet serioze dhe as tabloidet. “Rama pështyu mbi serbët në qendër të Beogradit”, “Edi Rama shqiptari i paturp”, “Katër provokimet e Ramës në qendër të Serbisë”, “Rama, kjo nuk është Tirana”, qenë titujt kryesorë të tabloideve si Kurir, Informer, Blic dhe Alo që së bashku kanë pjesën më të madhe të lexuesve serbë. Dy gazetat ultrancionaliste dhe tradicionale si: “Večernje novosti” dhe “Politika”, kishin tituj po aq të ngjashëm: “Rama erdhi për të provokuar”, “Provokimi i ri i shqiptarëve”etj. E gjithë kjo çmenduri shkoi deri në absurd. Dikush përmendte se kryeministri shqiptar kishte mbathur këpucë me taka të larta për t’u dukur po aq i gjatë sa edhe homologu i tij. Disa gazeta e trajtonin atë si një rrugaç që kishte ardhur në mes të Beogradit të provokonte serbët. Madje këto të fundit nuk ngurruan të publikojnë në faqe të parë edhe fotot e famshme të Ramës lakuriq, si për të dëshmuar se sa pak seriozisht duhej marrë ky njeri që po i sfidonte serbët në zemër të atdheut të tyre.
Ndërsa tani, gjashtë muaj më pas, askush nuk tentoi ta nxjerrë lakuriq Vuçiçin. Tonet e shtypit qenë diametralisht të kundërta. Presidenti i Republikës pranoi në mënyrën më mendjehapur të mundshme ta presë. Po ashtu edhe kreu i opozitës. Vetë Rama e mbajti premtimin e dhënë në Beograd se nuk do të klithte provokim, kur homologu i tij të thoshte në mes të Tiranës se ai e konsideronte Kosovën pjesë të Serbisë. Aq të vërteta janë këto reagime të politikanëve dhe aq në sintoni janë ato me ndjenjat e popullsisë, sa tabloidët serbë mbetën të çuditur. Madje njëri prej tyre nxorri në krye të faqes, Twitter-in e një vajze nga kryeqyteti, që ndihej se lumtur për vizitën e Vuçiçit. Ajo e kishte parë thjesht si një mundësi që rruga nga kalonte përditë, më në fund, të lyhej me vija të bardha.
Këto janë tablotë e asaj që ndodhi në dy kryeqytetet tona në harkun kohor të gjashtë muajve. Dhe ato janë antiteza më e mirë për të kuptuar se sa anakronik dukej sot Aleksandër Vuçiç, kur evokoi Shqipërinë e madhe. Megjithëse me taktin dhe kujdesin më të madh ai tregoi edhe njëherë se nuk shpëton dot nga mendësia e njerëzve që ka nga pas. Më të drejtë Rama ia ktheu me batutë se nëse një dron me hartën e Serbisë së madhe do të hidhej mbi Tiranë, shqiptarët do të qeshnin. Dhe vërtet mund të ndodhë kështu. Ndjenjat e nacionalizmit primitiv, për një mijë e një arsye (të kqqia dhe të mira) nuk kanë zënë vend ndër ne. Ato nuk mund të shërbejnë as si ushqim për politikanët dhe as si narkotikë për turmat. Aq më pak ato mund të shërbejnë si një armë me anë të së cilës të na godasin të tjerët. Vizita e Vuçiçit në Tiranë ishte një provë më shumë për këtë të vërtetë lakuriqe. (Lapsi.al)