Nga Thanas Mustaqi*
Në një takim elektoral banori N.N. nga zona “blu” sikurse njihet territori ku [do të] shtrihet deri në shtator 2015 komuna e Rrashbullit deklaroi: Jam socialist. Por nuk e di askush, pasi nuk di ku të trokas ku të regjistrohem. A ka PS në rrethin e Durrësit?! Këtë ngjarje tregon një figurë e njohur e së majtës rurale, duke shprehur dhe shqetësimin për “likuidimin” e partisë, të kthyer tashmë në një forcë thjesht elektorale.
Precedenti “Vangjush Dako” që komandon realisht PS-në vendore, është kthyer në njëfarë makthi për segmente të caktuara në degën e PD-së. Në rast fitoreje të Grida Dumës (Shqina), automatikisht ajo merr dhe partinë. Kryetari aktual Osman Stafa do të jetë formalisht. Do të vinin “muhaxhirë” rioshë nga Tirana, që nuk dinë ku bie Durrësi (për shembull, i deleguari i selisë qendrore Edmond Spaho sulmon Dakon për kullën “Fly”, kur firma e fuqishme e ndërtimit, e krijuar qysh në vitin 1995, i ka marrë OK-in ish-kryebashkiakut demokrat të vitit 2000. Madje presidenti i firmës së ndërtimit është një biznesmen i djathtë që ka kontribuar për PD-në dhe sponsorizuar bashkinë “blu”, e cila i ka dhënë dhe titullin e Nderit të Qytetit. Edmond Spaho, dyfish “muhaxhir” i Korçës në Tiranë dhe i Tiranës në Durrës, nuk ka sesi ta dijë këtë fakt!).
Frika nga precedenti “Dako”, që mund të aplikohet në PD, ka gjasa të bëjë që një pjesë e mirë e njerëzve me ndikim në strukturat dhe elektoratin e djathtë të votojnë PD-në për këshillin dhe … shokun Dako për kryebashkiak! Një “hemorragji” e tillë mund t’i kushtojë më shumë Dumës (Shqina) sesa Dakos nga rrjedhja e votave e të pakënaqurve të elektoratit të majtë.
Durrës, më 23 maj 2015
* Opinioni nuk shpreh vijën editoriale.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah’/