23 maj 2015 – Dy të rinj nga Durrësi që kanë grabitur dyqanin e Albtelekomit në qytet, janë arrestuar sot nga uniformat blu.

Maringlen Gruda, 25 vjeç, dhe Fabjan  Luku, 21 vjeç, që të dy banues në Durrës kanë vjedhur në bashkëpunimm shumën e 740,000 lekëve nga kasaforta e dyqanit, që ndodhet në godinën e Postës Qendrore.

Ka qenë Maringlen Gruda, ai i cili ka mundur që t’i vjedhë çelësin e godinës bashkëshortes së tij, pasi kjo e fundit është punonjëse në dyqanin e Albtelekomit. Duke bërë të mundur edhe çaktivizimin e alarmit, Gruda në bashkëpunim me Lukun, arritën të futeshin në dyqan ku dhe realizuan grabitjen e tyre.

Për këtë ngjarje, policia ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale:

-Mjetin tip BMV me targa DR3067F, në pronësi të shtetasit Maringlen Duma, i cili e kishte blerë me lekët e vjedhura,

-Motorin me targa DR797A, në pronësi të shtetasit Fabjan Luku,

-Një sasi prej 43.000 lekësh.

Dy të rinjtë akuzohen për veprën penale “Vjedhja në bashkëpunim”, materialet e të cilës kanë kaluar në Prokurorinë e Durrësit.

/S.L. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/