DURRËS, 21 maj 2015 –  Moska po sulmon Kryeministrin shqiptar Edi Rama jo vetëm për ngjarjet në Kumanovë, por edhe për kufirin detar me Greqinë, duke hedhur shashkën e “destabilizimit të Ballkanit jugor, pasi për të marrëveshja Basha-Bakojanis për kufirin detar është e ligjshme.

Ngjarjet maqedonase po drejtohen mjaft brutalisht nga jashtë, deklaroi më 20 janar 2015, Ministri i Punëve të Jashtme të Federatës Ruse Sergei Lavrov. Madje shefi i diplomacisë së “Romës së Tretë” i jep Shqipërisë dhe Ramës një përmasë ndërkombëtare: “Tani po flitet që Maqedonia duhet “federalizuar” më thellë,  të bëhet “federatë fleksibël”, ndoshta, “konfederatë”. Madje shprehen ide pse të mos ndahet si një shtet artificial – një pjesë t’i jepet Bullgarisë, kurse tjetra – Shqipërisë. Pavarësisht nga Maqedonia, në një plan më të gjerë në Tiranë, kryeministri i këtij vendi hedh parullën e “Shqipërisë së Madhe”. Në Tiranë, shkojnë udhëheqësit e partive shqiptare të Maqedonisë, marrin atje instruksione. Paralelisht, ambasadori amerikan në Shkup thërret liderët e partive politike dhe opozitës. Në fund të prillit të këtij viti u organizua edhe një udhëtim i përfaqësuesve të përhershëm të një numri të vendesh perëndimore dhe BE-së pranë OSBE-së: 5-6 veta pa mandat të Këshillit të Përhershëm të OSBE-së shkuan në Shkup, u quajtën “mision i OSBE-së”, shtjelluan atje lloj-lloj recetash dhe kërkesash drejtuar N. Gruevskit”.

Duke mos u mjaftuar me Maqedoninë, fletorja zyrtare e qeverisë ruse “Rossiyskaya gazeta”, në artikullin me titullin provokues “Shqipëria i mbylli Greqisë një pjesë të detit [transkriptimi anglisht: “Albaniya zakryla dlya Gretsii chast' morya”]”, e zgjeron “lojën”. Kësaj medieje qeveritare ruse nuk i vjen mirë nga qetësimi i situatës në Kumanovë, por synon të bëjë “çorap” Ballkanin, duke shkruar se “fill pas acarimit të dukshëm të situatës politike në Maqedoni në jug të Ballkanit po formësohet një tjetër faktor destabilizimi. Sikurse kanë njoftuar medie greke, këto ditë Shqipëria i ka paraqitur Greqisë pretendime për zona kufitare mes dy vendeve”. Rusia e ka mbështetur me të gjitha forcat “qëndrimin realist” të ish-qeverisë së djathtë shqiptare si ndaj Greqisë ashtu dhe ndaj Rusisë. Për Moskën, ashtu si për Athinën, nuk ka rëndësi fakti që marrëveshja për kufirin detar Basha-Bakojanis është hedhur poshtë nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë. Në qëndrimin e vet zyrtar Shqipëria nuk ka pretendime territoriale ndaj Greqisë, por thjesht të mos i vidhet hapësira detare.

Rusët shohin te Rama një anti-rus (thjesht se Moska po interesohet për hidrokarbure në zonën e Jonit të kontestuar nga ish-opozita shqiptare, tani në pushtet) dhe filo-perëndimor që po komploton kundër “aleancës ortodokse”, me një tjetër aleancë alternative, me Turqinë. Kremlinit nuk i vjen mirë që marrëdhëniet e shkëlqyera Rusi-Shqipëri, të përuruara nga ish-kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë Jozefina Topalli, ish-ministri i Brendshëm sot President i Shqipërisë Bujar Nishani dhe ish-Kryeministri Sali Berisha po shkelen me arrogancë nga Tirana aktuale.

 

 

 

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/