Ndërsa partitë e mëdha, siç e kanë bërë traditë tashmë, i publikojnë listat e kandidatëve në momentet e fundit para se të përfundojë limiti kohor i dorëzimit të listave në KQZ, partitë e vogla i kanë idetë më të qarta.
Pas Nismës #Thurje që prezantoi në rrjete sociale mjekun Artan Koni si kandidat për deputet në qarkun e Durrësit, mëngjesin e kësaj të diele ka qenë Bindja Demokratike, dega Durrës që ka prezantuar njërin prej kandidatëve të saj.
Bëhet fjalë për 35-vjeçarin Roel Simakun, i cili krahas fotos së fushatës zgjedhore ka përzgjedhur të publikojë edhe një shprehje të tragjedianit grek Euripidi
“Kur dikush me fjalë të ëmbla, por me mendje të keqe arrin të bindë turmën, gjëma të mëdha do të bien mbi shtetin (Euripidi)”,- shkruan Simaku.
Njëkohësisht kandidati i Bindjes Demokratike u bën apel qytetarëve “Voto me kujdes. Zgjidhë të duhurin për Durrësin”.
Partia BD e Astrit Patozit ka deklaruar se listat e kandidatëve të saj do të jenë 100% të hapura, çka nënkupton se pavarësisht renditjes në listën që do të dorëzohet në KQZ, në parlament do të shkojë vetëm kandidati që mbledh votat e nevojshme për të kaluar pragun elektoral.
Bindja Demokratike u krijua si parti pak para zgjedhjeve të 30 qershorit 2019 dhe u prezantua me kandidatët e saj për pushtetin vendor në vetëm 31 bashki.
Në Durrës, kandidatja e kësaj partie Valbona Sakollari u përball me kandidaten e PS-së, Valbona Sako.
Kush është Roel Simaku
35-vjeçari ka ndjekur studimet në Fakultetin e Edukimit, dega Psikologji – Sociologji në Uamd.
Simaku ka mbaruar Masterin Shkencor në Fakultetin e Shkencave Politike & Juridike, dega Administrim Publik.
Aktualisht punon në një subjekt privat si administrator, prej 3 vitesh.
Është i martuar dhe ka dy fëmijë.
Ai ka qenë i angazhuar më parë pranë degës së Partisë Demokratike Durrës, por që nga viti 2019 është koordinator i Bindjes Demokratike për qytetin bregdetar dhe një nga themeluesit degës lokale të BD.
Voto Bindjen Demokratike. Lista të hapura 100% brënda saj.
Posted by Roel Simaku on Saturday, February 27, 2021





