NGA TAULANT BALLA*

Dëgjova shqetësimin e zonjës Duma, e cila duke vetëkonsideruar veten akademike, përjashton mundësinë që të jetë dhe e inkriminuar. Në të vërtetë para se të na tregojë historinë e saj si akademike, zonja Duma të dëshmojë para shqiptarëve historinë e mashtrimit të saj dhe ortakut të saj në biznes ndaj qytetarëve, që u kanë shitur nga dy herë apartamente dhe që prokuroria e ka konsideruar fajtore, duke vuajtur dënimin me burg partneri i saj, i cili është në cilësinë e administratorit të kompanisë.

Nëse zonja Duma kërkon të jetë transparente le t’u shpjegojë durrsakëve dhe historinë e futjes së saj në biznesin e ndërtimit si ortake, pa pasur as kapital dhe as njohuri në fushën e ndërtimit. Ne ende nuk dimë cilat janë asetet e Gridës që kanë detyruar një biznesmen ta bëjë ortake në biznesin e ndërtimit dhe që në fund e çoi drejt dyerve të burgut. Për më tepër një biznesmene ndërtimi e akuzuar për mashtrim, tani kërkon të bëhet kryetare bashkie, duke u lavdëruar me biografinë e saj si ndërtuese mashtruese.

Po ashtu nëse ka dëshirë të jetë transparente, zonja Duma mund të flasë se si u përfshi në një operacion financiar me një bankë tjetër, për të shlyer problemin e mashtrimit me kompaninë e saj, çfarë pasurish ka vënë si barrë hipotekore dhe nëse është nën hetim, për këtë çështje apo jo.

Fakti që është vetëshpallur akademike, nuk e bën të pafajshme. Edhe Xhelal Mziu është vetëshpallur akademik, bile dhe Doktor Shkencash, por është në një listë me zonjën Duma, si i dënuar nga drejtësia.

Zonja Duma nuk ka problem me PS-në, por me drejtësinë. Nuk e ka çuar në prokurori dhe gjykatë PS-ja, por ish-ortakë të saj, të cilëve u ka hyrë në pjesë në bizneset e tyre familjare dhe tani është duke pastruar historitë e saj. Kur të mbarojë të na njoftojë, por deri atëherë bën mirë të heshte!

Siç na ka thënë Oscar Wilde, kujtohu se: "Askush nuk mund të jetë aq i pasur, sa të blejë të kaluarën e tij".

*Deputet i Kuvendit të Shqipërisë (PS)