DURRËS, 27 prill 2015 – Gjatë 10 ditëve të fundit Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare (DRKK) Durrës, në bashkëpunim me Drejtorinë Arsimore Rajonale (DAR) dhe shkollën e mesme jopublike “Rilindja”, kanë zhvilluar një sërë takimesh, të cilat u finalizuan me përfshirjen e shkollës “Rilindja” në rrjetin “Miku i Monumentit”, thotë DRKK-ja. Kësaj shkolle iu besua birësimi i kishës së Shën Ndout në Kepin e Rodonit. Të rinjve iu bë një prezantim i projektit “Miku i Monumentit”, si dhe u zgjodhën 22 vullnetarët e parë të rrjetit tonë, nga kjo shkollë. Më 24 prill, grupi i 22 vullnetarëve të shkollës “Rilindja”, u ftuan nga ambasada amerikane në kishën e Shën Ndout, me rastin e fillimit të një projekti për futjen e të gjitha objekteve të trashëgimisë, të besimit të krishterë, në një database. Ky moment shënoi për të rinjtë edhe vizitën e tyre të parë zyrtare në këtë monument. Dy nga vullnetarët ofruan një guidë për të pranishmit në këtë aktivitet dhe më pas të gjithë pjesëmarrësit bënë një marshim drejt kalasë së Skënderbeut, një tjetër monument i kësaj zone.

Të rinjtë e shkollës “Rilindja” menjëherë filluan punën për tëhartuar programin e tyre të aktiviteteve, në funksion të njohjes, promovimit dhe rijetëzimit të këtij monumenti aq interesant, për një zonë me atraksion të lartë kulturor dhe natyror.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/