Kampionati i Arteve të Miksuara Marciale është ndalur mbrëmjen e djeshme në Durrës. Në sytë e dhjetra kureshtarëve, në ringun e improvizuar, përpara Pallatit të Kulturës “Aleksandër Moisiu” janë zhvilluar disa ndeshje.
Përballja midis sportistit shqiptar dhe atij kroat ka marrë më shumë vëmendje, si për nivelin e përgatitjes, ashtu edhe për emocionet e përcjella te sportdashësit, të cilët ndoqën këto takime.
Arjan Rizai, President i Federatës së MMA-së shprehet se qëllimi i aktivitetit është afrimi i të rinjve me sportin, duke shtuar se këtij Kampionati nuk i mungojnë risitë, përsa i përket profesionalizmit, por edhe përfaqësimit të pjesmarrësve.
“Qëllimi i këtij sporti është që ti afrojmë të rinjtë sa më pranë sportit dhe ti shmangim nga veset. Siç e shikoni është një shesh i mbushur plot me sportdashës, ndërsa dita e sotme është një risi e madhe përsa i përket shumë sportistëve që ndeshen nga Shqipëria dhe Kosova në bashkpunim. Kemi sjellë një ndeshje profesioniste.”,- thotë Rizai.
Duke e cilësuar këtë lloj disipline si një trend, përfaqësuesi i MMA në vendin tonë, kërkon mbështetje nga të gjithë, veçanërisht nga institucionet shtetërore.
“MMA është bërë një sport që sa vjen dhe rritet në trend dhe normalisht duhet mbështetje. kemi bërë një organizim të shkëlqyer deri tani, shikoj cilësi sportive, por dhe stafi e të gjithë janë në një mendje që ta shtyejmë përpara në mënyrë të moderuar, profesionale dhe të kulturar. Ajo që dua të theksoj është që duhet mbështetje nga të gjithë, nga sponsor, biznesmen dhe nga shteti.“,- shprehet Presidenti i Federatës së MMA-së.
Aktiviteti ishte i ndarë në disa duele, ku më kryesori ishte ai mes sportistit kuqezi Marco Doda dhe atij kroat, Leon Krajacic, ku ky i fundit arriti të fitonte, pasi gjyqtari duke parë dyluftimin e mbylli para kohe ndeshje duke shpallur fitues kroatin.
Ndërkohë Doda u shpreh se ky vendim nuk ishte i drejtë dhe se ai do të arrijë suksese të tjera shumë shpejt.