Folklori i Ballkanit dhe Evropës zbrit mbrëmjen e së martës në qendër të Durrësit. Grupe folklorike nga Ukraina, Bullgaria, Polonia, Serbia dhe Shqipëria ishin pjesëmarrëse në Festivalin Ndërkombëtar të Folklorit, i cili u mbajt për rreth dy orë në sheshin “Liria”.
Muzika, këngët, vallet dhe veshjet popullore me larmishmërinë e tyre krijuan një atmosferë festive në sheshin qendror të Durrësit, ndërkohë që tërhoqën vëmendjen e shumë artdashësve dhe pushuesve, që vazhdojnë të frekuentojnë Durrësin edhe këto ditë të fundit të muajit gusht.
Vendi ynë u përfaqësua në këtë aktivitet me trupën e valltarëve të talentuar të Aldo Dance.
Prania e grupeve të ndryshme muzikore i ka dhënë larmishmëri netëve verore në qytetin bregdetar.
Në fund të festivalit grupet pjesëmarrëse u nderuan me certifikata mirënjohjeje, ndërkohë që ju dhuruan edhe suvenire me simbole të qytetit 3 mijë vjeçar.
“Qershia mbi tortë” e mbrëmjes festive ishte kur të gjithë pjesëmarrësit në Festivalin Ndërkombëtar të Folklorit u ngjitën të gjithë në skenë për të kërcyer së bashku “Valle kosovare”.
E ndërsa grupet kërcenin në skenë, publiku ia mori valles në shesh duke e përmbyllur në mënyrën më të bukur të mundshme këtë event kulturor.