Kafshë që rebelohen ndaj njeriut diktator, e largojnë atë me revolucion dhe në fund përfundojnë duke u shtypur, shfrytëzuar e vrarë nga të ngjashmit e tyre. Një fermë që do të menaxhohej nga të barabartë, por që në fund disa të barabartë ishin më të barabartë sesa të tjerët dhe i jepnin të drejtën vetes të silleshin si diktatorë e shfrytëzues.
Një komedi satirike e ndërthurur me elementë të mjuzikëllit, ishte kjo shfaqja “Ferma e kafshëve” me regji të Driada Dervishit dhe e interpretuar nga trupa e Teatrit Kombëtar. Shfaqja që në festivalin Kokofest u nderua me çmimin për “Regjinë më të mirë” Driada Dervishi dhe “Aktorin më të mirë jo protagonist” Hervin Çuli pati premierën e saj para publikut durrsak mbrëmjen e së premtes.
Me një interpretim mjaft të arrirë, trupa e aktorëve arriti të përcjellë emocion tek publiku në sallë, ndërkohë që përmes satirës therëse dhe disa togfjalëshave kyç pjesa teatrale solli copëza nga realiteti shqiptar, aq i prekshëm nga të gjithë. Disa të pushtetshëm që gëzojnë privilegje shumë më shumë sesa të tjerët dhe masa e pa gojë, që ndëshkohet kur ngre zërin apo kur kërkon barazinë që u propagandua në kohën e revolucionit.
E lumtur që solli në Durrës aktorët e Teatrit Kombëtar me një shfaqje që mban autorësinë e saj, regjisorja Driada Dervishi ftoi artdashësit durrsakë të jenë në teatër përgjatë dy fundjavave.
Sipas saj, “Ferma e kafshëve” është konceptuar dhe përshtatur që t’i flasë publikut shqiptar dhe të përcjellë mesazhe të forta nga aktualiteti.
Komedia satirike “Ferma e kafshëve” e shkrimtarit George Orwell u vu për herë të parë në skenë në amfiteatrin e liqenit të Tiranës, ndërkohë që në planet e ardhshme të Driada Dervishit dhe Hervin Çulit është një tur shfaqjesh në qytete të ndryshme të Shqipërisë.
M.B.