Muzeu Arkeologjik i Durrësit ka hapur këtë herë dyert jo për të pritur vizitorët e interesuar për t’u njohur me objektet që nga antikiteti kanë mbërrotur deri në ditët tona, por për artdashësit e apasionuar pas pikturave.
“Studio e hapur” titullohet ekspozita e përbashkët e 5 piktorëve të njohur Emjona Stasi, Buron Kaceli, Vangjo Vaili, Gjergji Marko dhe Agron Polovina.
Drejtori i Muzeut Arkeologjik, Alban Ramohitaj, mikpritësi i kësaj ekspozite të përbashkët, theksoi gjatë fjalës së tij se aktiviteti kulturor zhvillohet në kuadër të Ditëve të Trashëgimisë së Evropës.
“Më mirë sesa me këta artistë të mirënjohur të artit pamor, që na kanë nderuar me punimet e tyre që i kanë sjellë në Durrës, nuk mund të hapeshin këto Ditë të Trashëgimisë së Evropës”,- tha Ramohitaj.
Ndërsa artistja Emjona Stasi, e vetmja piktore femër në këtë ekepozitë, falenderoi drejtuesit e Muzeut Arkeologjik për mundësinë që u ofruan për t’i ekspozuar tablotë e tyre në mjediset e muzeut.
Pjesa më e madhe e punimeve të 5 piktorëve të mirënjohur shqiptarë ishin në gjininë e peisazhit, por nuk mungonin edhe portretet, natyrat e qeta etj.