Paqe në supersfidën e së shtunës në Abissnet Superiore atë mes Teutës dhe Dinamos. Kampionët nuk arritën të fundosnin dot nëndetsen blu, me Teutën që u ndal në një barazim pa gola nga blutë kryeqytetas, një pikë që u shkon përshtat të dyja skuadrave edhe pse Dinamo e Bledi Shkëmbit meritonte ndoshta diçka më shumë për atë çfarë tregoi në fushë. Ky ishte barazimi i dytë radhazi për të dyja skuadra me durrsakët dhe kryeqytetasit që kanë të njëjtën kuotë pikësh në renditje, 5.
Në Arena Egantia në fushën asnjanëse të qytetit të Rrogozhinës, sfida nisi me Dinamon më kërkuese. Në minutën e 6-të mbrojtësi malazez Sofranac provoi të befasonte Pano Qirkon i cili tregoi të gjitha instiktet e tij duke e dërguar topin në këndore. Në minutën e 9-të ishte Goran Siljanovski që vuri në provë portierin e Teutës me një predhë nga distanca të cilën Pano Qirko e ndali në dy kohë. Golin që aq shumë e kërkoi në minutat e para Dinamo e gjeti në të 24-ën por gjithçka u anulua nga gjyqtari kryesor për një faull të Chinedu ndaj portierit të Teutës. Shansin e parë në këtë sfidë Teuta e pati dy minuta më vonë me sulmuesin nga Maqedonia e Veriut Pepi Gorgiev por tentativa e tij me kokë shkoi jashtë kuadratit. Teuta iu paraqit mundësia më e mirë në këtë pjesë të parë në minutën e 29-të por edhe Sherif Kallaku ishte pafat pasi goditja e tij u ndal nga shtylla. Pa gola përfundoi pjesa e parë ndërkohë fraksioni i dytë nisi me një tjetër tentativë të Kallakut që mori kundërpërgjigjen e Romeo Harizajt.
Reagoi Dinamo që provoi me Agim Ibraimin në minutën e 55-të, por tentativa e kapitenit nga goditja standarte u dërgua me vështirësi në këndore nga Pano Qirko. 2 minuta më vonë blutë kryeqytetas kishin një tjetër shans të mirë por Samake dhe Sofranac nuk u kordinuan siç duhet. Në të 63-ën skuadra e Bledi Shkëmbit shpërdoroi një tjetër mundësi pas një kundërsulmi të shpejtë me sulmuesin Chinedu. As zëvendësimet e dy trajnerëve nuk ndryshuan gjë në rezultat ndërkohë që në minutën e 78-të, Dinamo ishte me fat teksa pas një daljeje të pastudiuar të portierit Harizaj, Ildi Gruda nuk gjeti portën në goditjen e tij me kokë. Sfida ishte emocionuese deri në fund por ai që është më i rëndësishmi goli, mungoi me Teutën e Dinamon që ruajtën pathyeshmërinë në këtë kampionat duke ndarë nga një pikë.