Kjo është nisma më e re e medias online Amfora dhe gazetarit Geri Emiri, të cilët, paraditen e së dielës, ju ftojnë në një tur kulturor nëpër disa nga sitet arkeologjike dhe historike më të njohura të qytetit bregdetar.
Turi me 7 ndalesa pritet të zgjasë rreth 2 orë e gjysëm, ndërsa pikëtakimet do të jenë Muzeu Arkeologjik, Torra Veneciane, Muret rrethues, kisha Shën Luçia etj.
Në njoftim, media Amfora thekson se qëllimi i këtij turi kulturor falas është njohja e trashëgimisë kulturore dhe promovimi i saj.
Turi do të nisë në orën 9.30, në Muzeun Arkelogjik të Durrësit, ku dokumentohen përmes objekteve disa nga fazat më të hershme nëpër të cilat ka kaluar zhvillimi i qytetit në periudhat arkaike apo ilirike për të vijuar më tej me ndalesat e radhës.
Ndalesat e turit:
Turi kulturor do të organizohet në qytetin e Durrësit më datë 10 Tetor 2021 – E dielë, ora 09:30 – 12:00.
Vendi i takimit: Muzeu Arkeologjik Durrës.
“Guida arkeologjike Epidamnus-Dyrrachium-Durrës”:
Do të vizitojmë sitet arkeologjike dhe muzetë përfaqësuese të periudhave:
1. Periudha arkaike, klasike dhe qytetare Ilire. Shek. 8-3 p.e.s. – VIZITË NË MUZEUN ARKEOLOGJIK DURRËS;
2. Periudha Romake. Shek. 2 p.e.s. – 6 e.s. – VIZITË NË AMFITEATRIN ROMAK;
3. Periudha Bizantine. Shek. 7 e.s. – 13 e.s. – VIZITË TEK MURET RRETHUESE TË QYTETIT;
4. Periudha Venedikase Shek. 13 e.s. – 15 e.s. – VIZITË TEK TORRA;
5. Periudha Osmane Shek. 15 e.s. – 19 e.s. – VIZITË TEK MUZEU ETNOGRAFIK;
6. Periudha e Rilindjes Kombëtare Shek. 19 e.s. – 20 e.s. – VIZITË TEK KISHA SHËN LUÇIA
7. Periudha moderne – VIZITË TEK MUZEHLAB.
Në guidë parashikohen 7 ndalesa për çdo periudhë, me nga rreth 20 minuta në çdo ndalesë dhe turi zgjat në total 140 minuta.
Pas turit Media Amfora ju fton në një takim kafeje, për të folur për përshtypjet dhe për të dhënë sugjerime për raportimin dhe angazhimin së bashku me komunitetin.