Ministri i Brendshëm serb, Aleksandër Vulin iu përgjigj në distancë deklratës së Edi Ramës e cila sipas tij është tentativë për të krijuar “Shqipërinë e madhe”.

Ministri serb thotë se vetëm “bota serbe” do ta ndalonte “Shqipërinë e Madhe”. Sipas tij, për shkak se të gjithë heshtin për “Shqipërinë e Madhe”, serbët duhet të reagojnë.

Kur Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, thotë se detyra e karrierës së tij politike është “bashkimi i Shqipërisë me Kosovën”, të gjitha vendet e Ballkanit heshtin, UNMIK -u, i cili kontrollon Kosovën dhe Metohinë sipas Rezolutës 1244, hesht, dhe BE nuk lëshoi deklaratat e saj të famshme që bëjnë thirrje për të dyja palët për vetëpërmbajtjeÇdo gjë që lejohet për shqiptarët nuk do të jetë në gjendje të ndalohet për serbët. Pengesa e vetme për “Shqipërinë e Madhe” dhe forca e vetme që do të mundësojë që serbët të mos drejtohen nga të tjerët është uniteti politik serb dhe krijimi i një “bote serbe”. Shpresoj që të gjithë ata që heshtin për deklaratën e Ramës për krijimin e një “Shqipërie të Madhe” do të heshtin kur ne serbët të flasim për “botën serbe” tha Vulin.

Kryeministri Edi Rama i ftuar mbrëmjen e së premtes në emisionin “Zonë e Lirë” u pyet nëse e ka në plan që të bëhet Presidenti i trojeve të bashkuara të Kosovës dhe Shqipërisë. Kreu i qeverisë u shpreh se nuk e ka ndërmend këtë gjë pasi do që të zhvillojë një jetë të tretë ku do të fokusohet tek njerëzit e tij të dashur.

Rama tha se nuk është në planet e tij që të jetë President i Kosovës dhe i Shqipërisë, por tregoi aspiratën e tij për bashkimin e Shqipërisë me Kosovën.