Ana Shametaj është një regjisore e re nga Durrësi, por e rritur dhe shkolluar në vendin fqinjë Itali. 30-vjeçarja është angazhuar aktualisht në përgatitjen e videoklipeve që do të shoqërojnë albumin “Underwater”e pianistit dhe kompozitorit italian Ludovico Einaudi.
Videoklipet e para janë publikuar tashmë, ndërkohë që albumi i Einaudi-t pritet të dalë në treg në janar të vitit të ardhshëm.
Regjisorja e re, e cila është diplomuar në akademinë “Paolo Grassi” në Milano, prej vitesh është angazhuar në projekte artistike në vendin fqinjë, ku ndër më të rëndësishmit është Kokoschka Revival, ku është bashkëthemeluese dhe njëkohësisht mban pozicionin e drejtores artistike.
Megjithëse në moshë të re, Shametaj ka arritur të integrohet më së miri nga ana profesionale në botën e artit, në Italu. Në karrierën e saj artistike në vendin fqinjë, Ana Shametaj është angazhuar kryesisht si regjisore në pjesë teatrale të teatrit avangardë si Teatri Valdoca, Socìetas Raffaello Sanzio, l’Odin Teater Film, Studio Azzurro e Motus etj.
Në vitin 2018 ajo ka qenë regjisore e “Apocalypse WoW!”, i shkruar nga Franco Berardi Bifo, ndërsa në vitin 2019 realizon filmin me metrazh të gjatë “Gli Indocili”, I prodhuar nga Ubulibri dhe Raicinema.
Po në vitin 2019 ajo është një nga regjisore e filmit kolektiv “Under The God”, i prezantuar në edicionin e 72-të të Festivalit të Locarno-s.
Në vitin 2020, Ana Shametaj nis bashkëpunimin me stilisten Elisa Ossino dhe marka të njohura të modës si Hermes. Njëkohësisht 30-vjeçarja punon si regjisore me artistë të kompanisë Ponderosa Music & Art, mes të cilëve Arto Lindsay dhe Ludovico Einaudi.
Aktualisht ajo është zv/presidente e organizatës jo fitimprurëse “The Azzurra”, në Los Anxhelos, e cila promovon kulturën italiane në Kaliforni.