Një festë e historisë, kulturës dhe qytetit synon të jetë eventi kulturor “Festivali i dritave”, që për 3 netë me radhë (17-19 gusht) do ta kthejë sheshin “Liria” të Durrësit në një hapësirë magjike të dritave, artit dhe muzikës.
United Rise Foundation, në bashkëpunim me bashkinë Durrës, nisën mbrëmjen e së hënës aktivitetin, që synon të sjellë në qytet tri netë të mbushura me art, muzikë, kërcim dhe kulturë.
Organizatori Ervin Lera shprehet se eventi ka në fokus promovimin e artit dhe kulturës, duke i kushtuar një vëmendje të veçantë personave dhe komuniteteve në nevojë, veçanërisht fëmijëve. Nata e parë iu kushtua muzikës, me një koncert të interpretuar nga fëmijë dhe adoleshentë.
Në natën e dytë, publiku do të ndjekë performanca me kërcim modern, këngë dhe akrobaci spektakolare në skenë, në një lartësi deri në 24 metra. Ndërsa nata e tretë do të sjellë muzikën tradicionale shqiptare, të ndërthurur me elemente të muzikës klasike.
Gjatë tri netëve, programi do të përfshijë fëmijë, adoleshentë dhe të rritur, duke sjellë një program të larmishëm artistik.
Për organizatorët, një nga synimet kryesore të festivalit është t’u japë vlerë dhe t’i sjellë më pranë publikut këngët dhe vallet shqiptare, duke ndërthurur traditën me format moderne të artit dhe spektaklit.
M.B.





