Prej rreth një muaji, Ndërmarrja Rruga po punon për pastrimin e kanaleve kulluese në NJA-të e bashkisë Durrës.
Pastrimi i kanaleve parandalon përmbytjen e këtyre zonave, siç ka ndodhur në fillim të këtij viti.
Mjetet e rënda janë përqendruar në kanalin e parë kullues të fshatit Jubë, me një gjatësi 3.6 km.
“Aktualisht jemi duke punuar në njësinë administrative të Katundit të Ri, në fshatin Jubë. Po pastrojmë kanalin e parë kullues më gjatësi 3.6 km, që derdhet në bregdet. Është realizuar deri tani 70% e pastrimit të kanalit, por njëkohësisht po punojmë edhe në zonën e Rrashbullit, në fshatin Shënavlash. Në të njëjtën kohë po merremi me argjinaturën e lumit Erzen, në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë dhe drejtorinë rajonale të Bordit të Kullimit”, thotë Aljon Hyska, drejtor i Ndërrmarrjes Rruga.
Përmbytja e tokave në Katund të Ri dhe Sukth, në muajin janar shkaktoi dëme të mëdha materiale për banorët e këtyre zonave. Të intervistuar nga “DurrësLajm”, më datë 9 qershor, ata kërkuan me ngulm riparimin e argjinaturës së lumit Erzen, e dëmtuar në shumë vende.
Sipas drejtorit Hyska, ndërhyrjet e tanishme do të evitojnë përmbytjet në të ardhmen.
“Jemi duke marrë masat në të gjitha pikat ku ka pasur përmbytjet, si në Sukth, Rrushkull, Perlat dh Katund i Ri. Në Sukth, Rrushkull dhe Perlat ka dalë një punë voluminoze. Argjinatura që është krijuar tani është e mjaftueshme për të shmangur përmbytjet”,- tha Hyska.
Rehabilitimi i argjinaturës së lumit Erzen në Sukth po bëhet në një gjatësi prej 5 kilometrash. Lartësia e argjinaturës së rehabilituar ka arritur në 7 metra.
Krahas punës që po bëhet për pastrimin e kanalit kullues në Shënavlash, me gjatësi 800 metra, ndërhyrje do të realizohen edhe në Spitallë dhe Shkozet.
“Me të mbaruar fshati Shënavlash, me aksionin e radhës do të ndërhyjmë në zonën e Spitallës, në zonën e Shkozetit dhe pjesërisht në zonën e ish-Kënetës dhe do të vazhdojmë me pastrimin e kolektorëve kryesorë që shkojnë në zonën e Hidrovorit”,– deklaroi drejtori Hyska.
Sipas drejtorit të Ndërrmarrjes Rruga, pranë zonave të banuara po realizohet edhe largimi i mbetjeve që nxirren nga kanali.
Pastrimi i këtyre kanaleve do të parandalojë përmbytjet e tokave bujqësore dhe zonave përreth banesave të fermerëve.
M.B.