Pasditen e djeshme në ambientet e Qendrës Kulturore “Aleksandër Moisiu” është zhvilluar një konkurs letraro-artistik.

Bibloteka e Durrësit së bashku me 14 shkollat e mesme publike dhe jo publike të qytetit kanë organizuar “Penën Rinore 2021”.

Konkursi u finalizua me ndarjen e çmimeve për kategoritë prozë dhe poezi, ku shkolla “Jan Kukuzeli” dhe “Naim Frashëri” fituan çmimet speciale.

Drejtoresha e Biblotekës, Mirela Ylli u shpreh se bashkëpunimi me 14 shkollat e mesme pati shumë sukses dhe do vazhdojë të organizohet edhe në vitet e ardhshme.

Përsa i përket ndarjes së çmimeve, Ylli tha se nuk kishte shumë rëndësi, pasi të gjithë kishin bërë një punë të mrekullueshme.

“Ishte një bashkëpunim shumë i frytshëm dhe mendoj që ky bashkëpunim do të jetë gjithmonë në vazhdim. Pati goxha pjesëmarrje, pati shumë fitues. Për ne nuk ka fitues, sepse të gjithë ishin të mrekullueshëm, ishin në një nivel. Por juria vendosi të ndaj disa çmime, nga çmimet e treta, të dyta dhe të para, dhe çmimet speciale, Dy çmimet speciale iu dhanë shkollave “Jan Kukuzeli” dhe “Naim Frashëri”,- tha drejtoresha.