Për rikonstruksionin e saj u shpenzuan rreth 2.8 milionë euro, por ndriçimi në shëtitoren “Taulantia” në Durrës mungon.
Ose më mirë, shtyllat e ndriçimit janë të vendosura përgjatë gjithë gjatësisë së saj, por qendrojnë të fikura.
Operatori i “DurrësLajm” ka fiksuar mbrëmjen e së shtunës pamjen e trishtë që të ofron shëtitorja bregdetare, vendi më i preferuar i qytetarëve gjatë orëve të pasdites dhe mbrëmjes.
Errësira mbretëron ngado, ndërkohë që në sfond duken dritat e lokaleve dhe restoranteve si dhe ato të portit detar.
Qytetarët detyrohen të shëtisin në errësirë, fëmijët argëtohen duke luajtur në errësirë.
Ishte data 23 tetor, kur shëtitorja u ndriçua për herë të parë pas rikonstruksionit.

Madje, entuziazmnt për ndezjen e dritave nuk i shpëtoi as kryeministri Rama, i cili në një postim në rrjete sociale shkruante: SAPO NDEZËM DRITAT NË “LUNGOMAREN” E RE TË DURRËSIT… Më e keqja është pas krahëve, më e mira është ende e gjitha përpara nesh.
Postimin e tij, kryeministri e shoqëronte edhe me foto nga shëtitorja e ndriçuar.
Por mbajtja ndezur e dritave në orët e mbrëmjes në shëtitore nuk zgjati shumë. Adhuruesit e shëtitjeve buzë detit e përshkojnë çdo natë në errësirë lungomaren e Durrësit.
Në një shkrim të pak muajve më parë, “DurrësLajm” shkruante se dy projektet e “florinjta” shëtitorja “Taulantia” dhe “Veliera” nuk duket se e justifikojnë fondin e konsiderueshëm të shpenzuar për ta.
Ndërsa “Veliera” e papërfunduar ende pas 4 vitesh i ngjason një monstre betoni që i bën karshillëk monumenteve të kulturës që e rrethojnë, shëtitorja bregdetare tani për tani ofron vetëm gjelbërimin e fotove 3D të projektit dhe errësirën që e pushton sapo bie nata mbi qytet.
M.B.





