Ka filluar sot në Durrës kampionati i femrave U-15, i cili zhvillohet për herë të parë në Shqipëri.

I pranishëm në ceremoni, Presidenti Armand Duka shprehu kënaqësinë e tij për nisjen e këtij kampionati, që ka një rëndësi të madhe në strategjinë e FSHF-së për zhvillimin e futbollit të fëmijëve.

Kreu i qeverisë së futbollit tha se ky aktivitet është fryt i një pune disavjeçare e të gjithë komunitetit të futbollit shqiptar, duke ndjekur strategjinë e afrimit të sa më shumë vajzave pranë futbollit.

“Jemi vërtetë të lumtur që organizojmë sot aktivitetin për të filluar për herë të parë kampionatin e femrave U-15 në Shqipëri. Për ne është një ngjarje e rëndësishme, është një datë historike pra nisja e këtij aktiviteti. Është fryt i një pune disavjeçare e të gjithë komunitetit të futbollit shqiptar, duke ndjekur prioritetin, politikën dhe strategjinë e afrimit të sa më shumë vajzave pranë futbollit. Futbolli në Shqipëri vërtetë ka filluar vonë krahasimisht me shumë vende të tjera të Europës por në këtë 10-vjeçar ka njohur zhvillime të rëndësishme, jo vetëm në masivizimin e tij që kemi shumë më shumë goca që luajnë futboll por edhe kualitet në ekipet tona. Gjithsesi, këshilla ime është që para se të vini të luani futboll duhet të bëni shumë mirë mësimet. Shembulli më i mirë është Megi Doçi, e cila është e pranishme këtu me ne. Edhe ju mund të bëheni si Megi në futboll, pse jo edhe më të mira se ajo, duke na nderuar edhe me ekipet kombëtare”, – tha presidenti Duka.