Teuta regjistroi humbjen e dytë radhazi me rezultatin 2-1 dhe e mbylli vitin 2021 në mënyrën më të keqe të mundshme. Trajneri i kampionëve në fuqi, Edi Martini analizoi humbjen kundër Egnatias duke mos e fshehur zhgënjimin e madh.

“Krijuam raste në pjesën e parë, por nuk shënuam. Janë ndeshje që duhet të fitohen, më vjen turp nga kjo humbje sot. Kisha besim se do e kthenim lojën kur ishim 0-1. Qendra e mbrojtjes është problemi, por pas gabimit që bëmë te goli i dytë, normalisht ndihet shumë keqardhje.

Pashë një pjesë të dytë që nuk ishim në ritmin e duhur. Ishte si nata me ditën krahasuar me ndeshjen me Tiranën, më vjen keq. Kishim shpirt dhe grintë me Tiranën, më duket sikur lojtarët e menduan të fituar ndeshjen.

Karakteri i skuadrës nuk është i vjetshmi, mungon edhe agresiviteti dhe gjendja e mirë fizike. Ka shumë gjëra për t’u rregulluar”, theksoi trajneri shkodran i Teutës.