Sherif Kallaku ka mbyllur aventurën e tij me Teutën ditën e djeshme, pas 6 muajsh si pjesë e durrsakëve në formë huazimi nga Lokomotiva Zagreb.

Lajmin e bëri të ditur vetë klubi durrsak përmes një njoftimi në llogaritë zyrtare në rrjetet sociale.“Në emër të Presidentit të KF Teuta, Z. Edmond Hasanbelliu, falënderojmë futbollistin Sherif Kallaku, i cili nuk është më pjesë e skuadrës sonë. Mesfushori 24-vjeçar do të rikthehet në Kroaci te Lokomotiva e Zagrebit pas 6 muajsh me blutë duke zhvilluar performanca pozitive.

KF Teuta e falënderon Kallakun për kontributin e dhënë për fanellën e Teutës dhe i uron shumë suksese në karrierën e tij futbollistike”, shkruhet në njoftimin e klubit durrsak.

Fantazisti luajti në 14 ndeshje në Superiore në këtë sezon me Teutën dhe shënoi 1 gol e dhuroi 5 asiste. Gjithsesi, ka mjaft shanse që Kallaku të vazhdojë në Shqipëri edhe pjesën tjetër të këtij sezoni. Dy klube të kryeqytetit, Dinamo dhe Partizani, po bëjnë përpjekje për të siguruar shërbimet e fantazistit në formën e huazimit nga Lokomotiva e Zagrebit, me të cilën Kallaku ka kontratë deri në vitin 2024.

Kallaku nuk ka shumë hapësira te kroatët dhe pritet që ata ta huazojnë sërish dhe me siguri do të jetë garë e fortë deri në finalizimin e operacionit. Të dyja klubeve do i bënte jashtëzakonisht punë një lojtar si 24-vjeçari nga Fushë-Kruja.