Ditën e hënë rreth orës 14:00, do të shembet me eksploziv ky pallat i ndodhur në lagjen nr. 18 në Durrës, rruga “Aleksandër Goga”, i cili ka mbetur i dëmtuar rëndë nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.

Drejtori i IMT-së Durrës Dorian Mema, konfirmoi për “DurrësLajm”, se sot ka filluar të bëhet njoftimi i banorëve dhe bizneseve të zonës, që ndodhen në një rreze 100-200 metra rreth pallatit, për t’u larguar përpara shpërthimit.

Pallati ishte planifikuar fillimisht për t’u shembur ditën e sotme, por u shty për të hënën për shkak të motit të keq. Po ashtu, bëhet me dije nga të njëjtat burime, se në rast se moti ditën e hënë do të jetë sërish i papërshtatshëm, do të shtyhet për një moment të dytë duke u bërë dhe njoftimi i banorëve.

Sot po jepen instruksionet përkatëse për banorët e zonës që të lënë hapur dritaret dhe dyert e banesave dhe subjekteve të tyre për të shmangur valën goditëse, të ulin në dysheme televizorë e kompjuter dhe të largohen nga banesat dhe subjektet e tyre.