Mbrëmjen e së premtes, u zhvillua në ambientet e galerisë Nikolet Vasia të qytetit të Durrësit hapja e ekspozitës me titull “Njerëz Të Qytetit Tim” të piktorit durrsak Ilir Berhami, kurator dhe prezantues Idriz Balani, në bashkëpunim me Qendrën Kulturore Aleksandër Moisiu dhe Bashkinë Durrës.

Kjo ekspozitë vjen me një koncept të ri të një ekspozite në zhvillim përgjatë tre javëve në vijim. Në fillim janë ekspozuar rreth 40 portrete të personazheve të mirënjohur të qytetarisë durrsake nga fusha të ndryshme të artit, kulturës, sportit, politikës, muzikës, fesë dhe besimit. Këto portrete janë të stilit me laps në letër të bardhë duke ndërthurur filozofinë personale dhe artistike. Këto janë krijuar nga autori përgjatë një harku kohor 2 javor dhe janë filmuar duke u prezantuar me time-lapse!

Gjithashtu në vijim portrete të tjera do t’i shtohen ekspozitës në zgjerim, ndërkohë që personazhet dhe familjarë të tyre miq dhe të pranishëm munden t’i tërheqin ato ose të kërkojnë piktura të tjera.

Piktori Ilir Berhami është një artist i niveleve ndërkombëtare dhe një vlerë e shtuar për qytetin e Durrësit duke vënë në dispozicion talentin e tij artistik shumë dimensional. Një artist i cili ka mbaruar Akademinë e Arteve Figurative ne Tiranë, që disponon një koleksion të konsiderueshëm pikturash në teknika të ndryshme si vaj, akrilik, etj.

Ka ekspozuar edhe në Galerinë Kombëtare te Arteve, Tirane, Galeria Josef Pallati Oficerave Durrës, Ekspozita kolektive me artistë ndërkombëtarë Signora Paola Epifani (Rabarama), bashkëpunim shumë i rëndësishëm për mbi 14 vite me Galerinë Dante Vecchiato në Padova, etj. Gjithashtu ka marrë pjesë në mjaft konkurse ndërkombëtare të pikturës në Itali, Gjermani, Luksemburg, Amerikë etj.

Në përurimin e kësaj ekspozite ishin të pranishëm mjaft pjesëmarrës dhe qytetarë të mirënjohur, personazhe në piktura si edhe familjarë të tyre. Kjo galeri do të qëndrojë e hapur deri në datën 8 shkurt 2022. Mes artit dhe kritikave, diskutimeve dhe penelatave të ngjyrave u zhvillua në një mbrëmje të ngrohtë takimi midis “Njerëzve të Qytetit Tim”!

Pamjet filmike u mundësuan nga Griseld Hoxha.

Pol Milo