Finalizohet operacioni policor i koduar “Linza, vihet në pranga 26-vjeçari nga Durrësi Markelian Beqari, i shpallur në kërkim për vrasje me dashje të mbetur në tentativë, pasi akuzohet se ka plagosur brenda dhomës së një hoteli 20-vjeçarin Arni Sulejmani.

Prangosja e tij është bërë në aksin rrugor Linzë-Surrel, kur ai ka qenë duke lëvizur me makinë. Policia kishte marrë informacione se Beqari ishte në këtë zonë dhe  ka bërë të mundur prangosjen e tij.

Markelian Beqari akuzohet se në datën 09 dhjetor 2021, në ambientet e një hoteli në autostradën Durrës-Tiranë, ka tentuar të vrasë me armë zjarri Sulejmanin, i cili mbeti i plagosur.

Pas ngjarjes 26-vjeçari u largua, ndërsa në pranga ra 22-vjeçarja Anxhela Brisku, pasi pas ngjarjes mori armën dhe e fshehu. Po ashtu u arrestua edhe një 66-vjeçar i cili e strehoi të renë.

Njoftimi i policisë

Finalizohet operacioni policor i koduar “Linza”.Operacioni nga Forca e Posaçme “Shqiponja” në DVP Tiranë dhe Komisariati i Policisë Nr. 4, në bashkëpunim me Forcën Operacionale të DVP Durrës. Kapet dhe vihet në pranga 26-vjeçari nga Durrësi, i shpallur në kërkim për vrasje me dashje të mbetur në tentativë. 26-vjeçari, me masë sigurie “Arrest në burg”.

Në vijim të punës për kapjen e personave që qarkullojnë me armë zjarri apo me lëndë narkotike dhe të atyre të shpallur në kërkim, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative për një person të shpallur në kërkim për krime kundër personit, që qarkullonte me automjet në segmentin rrugor Linzë-Surrel, është organizuar dhe finalizuar operacioni policor i koduar “Linza”, në kuadër të të cilit u bë kapja dhe arrestimi i shtetasit të shpallur në kërkim: M. B., 26 vjeç, banues lagjen nr.17/1, Durrës.

Gjykata e Shkallës së Parë Durrës i ka caktuar këtij shtetasi masën e sigurisë “Arrest në burg”, si i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Vrasja me dashje” mbetur në tentativë, “Moskallëzimi i krimit”, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Armëmbajtja pa leje”.Ky shtetas dyshohet se më datë 09.12.2021, në ambientet e një hoteli në autostradën Durrës-Tiranë, ka tentuar të vrasë me armë zjarri shtetasin A. S., i cili mbeti i plagosur.

Menjëherë pas ngjarjes, shtetasi M. B. është larguar nga vendi i ngjarjes.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.