Nis shpërndarja e bonusit të qirasë për rreth 3800 familje përfituese në Durrës. Në llogaritë e qytetarëve përfitues kanë nisur të kalojnë 2 muaj bonus njëherazi, duke ua lehtësuar kështu disi barrën monetare të të pastrehërve nga tërmeti, që prej 3 muajsh nuk merrnin bonusin e premtuar nga qeveria deri në rregullimin e plotë të banesave të tyre.

Prej dy muajsh, qytetarët ngrinin shqetësimin e moskalimit të parave, madje edhe për vit të ri shumë prej tyre u detyruan të paguanin nga xhepi i tyre pronarët e banesave, ku strehohen përkohësisht.

Në jo pak raste ata kanë ngritur shqetësimin pranë redaksisë së “DurrësLajm” se rrezikonin të konfliktoheshin me qiradhënësit apo të largoheshin nga banesat e marra me qira, pasi pronarët u kërkonin qiranë mujore.

Gjatë muajit dhjetor, atyre iu kërkua të rinovonin dokumentacionin e paraqitur 2 vite më parë për përfitimin e bonusit. Pavarësisht se shumë prej tyre nxituan t’i rinovonin në kohë, bonusi sërish nuk u kaloi. Me sa duket, java e fundit e janarit ka rezervuar lajmin e mire për 3800 familjet përfituese të bashkisë Durrës.