Hamami në Durrës, monument i trashëgimisë kulturore, është një tjetër objekt i rëndësishëm kulturor, i cili pësoi dëme të mëdha nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.

“EU4Culture” bën të ditur se së shpejti ky monument i kategorisë së parë do të jetë i arritshëm për komunitetin dhe turistët.

Ndërhyrjet, bëhet me dije më tej nga postimi në “Facebook”, do të përfshijnë restaurimin e sipërfaqeve të brendshme, fasadave dhe instalimeve për interpretim digjital.

EU4Culture ndan disa imazhe se si do të duket objekti pas punimeve të planifikuara.

Programi EU4Culture financohet nga Bashkimi Europian dhe zbatohet nga UNOPS në partneritet të ngushtë me Ministrinë e Kulturës, me një buxhet prej 40 milionë euro.

Qëllimi i projektit është të restaurojë sitet e trashëgimisë kulturore të dëmtuara nga tërmeti i vitit 2019.