Ish-presidenti Donald Trump hodhi tezën e rikandidimit si President për vitin 2024 dhe tha se do t’i falte të gjithë ata persona që janë akuzuar në lidhje me sulmin vdekjeprurës të 6 janarit në Kapitol.
“Nëse kandidoj dhe nëse fitoj, ne do t’i trajtojmë ata njerëz me drejtësi nga 6 janari. Dhe nëse kërkojnë falje, ne do t’i falim ata. Sepse po trajtohen kaq padrejtësisht,” tha ai .
Trump, i cili nuk ka thënë nëse do të kandidojë sërish për president pas humbjes së tij me demokratin Joe Biden në zgjedhjet e vitit 2020, po fliste në një miting në Teksas.
Përkrahësit e ish-Presidentit Donald Trump sulmuan ndërtesën e Kongresit të Shteteve të Bashkuara në një përpjekje për të penguar konfirmimin e fitores në zgjedhje të presidentit aktual Joe Biden në vitin 2020. Sulmi i 6 janarit 2021, ishte sulmi më i keq ndaj Kongresit që nga viti 1812.
Rreth 140 efektivë policie u plagosën gjatë sulmit disa orësh, ndërsa disa të tjerë humbën jetën. Rreth 700 persona u akuzuan për pjesëmarrje në sulm.





