Teuta i ka dhënë fund serisë prej 4 humbjesh radhazi në kampionat, duke mundur minimalisht Skënderbeun, për t’u larguar nga zona e rrezikshme e klasifikimit. Kampionëve u ka mjaftuar goli i Lorenco Vilës për suksesin 1-0. Renato Arapi i është gëzuar kthimit te fitoret i Teutës në kampionat ndaj Skënderbeut. Trajneri durrsakëve ka përgëzuar skuadrën e tij për ndryshimet që ka filluar të bëjë në lojë, ndërsa tregoi se Hyka shumë shpejt mund të ishte i gatshëm për të dhënë kontributin e tij me skuadrën.

“Postimi me foton e Rustem Hoxhës? Ka filluar të na mungojë futbolli i luajtur, kemi emocione të tjera, është edhe përgjegjësi e madhe. Rrallëherë ke një partner që kuptohesh aq mirë, ndaj kjo është arsyeja pse bëra atë postim. Merkato është e mbyllur, Rustemi po bën mirë në ekipin ku është. E rëndësishme është të arrijmë objektivat sezonale dhe pastaj duke parë e duke bërë.Na bëri mirë fitorja në Kupë që rrit moralin, por duke ditur pozitat në kampionat, ishte e rëndësishme shumë edhe fitorja. Por më e rëndësishme, një nga gjërat që nuk kemi bërë mirë ishte mbrojtja në grup dhe këtu jemi munduar të punojmë dhe sot besoj se kemi bërë mirë.

Në momentin që ke grintë e karakter, mund t’i vështirësosh shumë punë kundërshtarit se ekipet nuk kanë shumë diferenca. Kemi punuar shumë me fazën e mbrojtjes, do të na duhet të punojmë edhe në fazën sulmuese, por do të na duhet pak më shumë kohë sepse kishim ndeshjet shumë afër njëra-tjetrës. Kemi punuar gjatë këtyre ditëve dhe detyrat kanë qenë të qarta. Pastaj krosi i Peposhit ishte fantastik se ishte i vështirë për të kthyer atë top.

Hyka? Jahmirin në e njohim e i dimë vlerat që kam, pavarësisht se ka një periudhë të gjatë që nuk luan në ndeshje zyrtare, por është stërvitur me ekipin. Ditët e kaluara e kemi pasur në stërvitje, me sa kam parë nuk është në gjendje të keqe. Shpresojmë të bëjë mirë e të na ndihmojë edhe ne”, tha Arapi.