Trajneri i Teutës, Renato Arapi, foli pas disfatës 0-4 ndaj Partizanit në “Elbasan Arena”. Në prononcimin pas këtij dueli, tekniku i skuadrës durrsake u shpreh:

“Ai goli i pësuar shpejt na dha një goditje, erdhi për një gabim tonin. U çorganizuam akoma më tepër. E kam thënë, pas 2 ndeshjeve me Skënderbeun, kemi goxha për të rregulluar. Duhet të jemi rigoroz tek detyrat në mbrojtje dhe goditjet standarde. Kjo humbje na dhemb, por duhet të shikojmë përpara.

Po të kishim fituar sot, mund të pretendonim edhe lartë. Në pozitat që jemi ky është realiteti. Duhet të marrim maksimumin në ndeshjet e mbetura. Nuk jam i qartë për kartonin e kuq, analizën e ndeshjes do ta bëjmë nesër.

Pas golit iu thashë që nuk duhet të dalin nga detyrat. Sot ndoshta ka ndikuar edhe lodhja. Mund të ketë ndikuar dhe ajo pjesa.

Ndryshimet e mëdha nuk i bëjnë mirë ekipit, por situata erdhi e tillë, duhet të ishim më të kujdesshëm. Akoma jemi brenda objektivave për të shpëtuar sezonin. Kemi dhe Kupën, duhet të fokusohemi 100 % atje.

Aleksi është një nga pikat kyçe të ekipit, ndihmon shumë edhe mbrojtësit. Për arsye shëndetësore, u munduam që në momentet e fundit ta zëvendësonim.

Duhet të jemi më tepër agresivë dhe duhet të komunikojmë me njëri-tjetrin. Shpresojmë ta përmirësojmë. Është e vështirë. Ne kemi mbrojtësa me eksperiencë. Do mundohemi të bëjmë maksimumin”, u shpreh Arapi.