Harta e re gjyqësore ka ngjallur shumë diskutime dhe reagime në rradhët e avokatëve. Mbyllja e Gjykatës së Apelit Durrës dhe Gjykatës Administrative dhe shqyrtimi i të gjitha çështjeve në Tiranë konsiderohet nga Dhomat e Avokatisë një vendim në dëm të qytetarëve, institucioneve, por edhe palëve të përfshira në këtë proces.

Avokati Artion Beqiraj, në një intervistë për “DurrësLajm” deklaron se përqendrimi i pjesës më të madhe të gjykatave në kryeqytet do të shkaktojë kosto financiare, por edhe ditë pune të humbura për avokatët.

Duke marrë si shembull rastin e Gjykatës Administrative të Apelit në Tiranë, ku aktualisht po shqyrtohen çështjet gjyqësore që i përkasin periudhës kohore 2017-2018, avokati Beqiraj nënvizoi faktin se përqendrimi i të gjitha dosjeve në kryeqytet do të shoqërohet me volum të shtuar pune për trupat gjyqësore dhe zvarritje të mëtejshme të proceseve.

Pak ditë më parë, ishte kreu i Dhomës së Avokatisë Durrës, Lorval Petani, që ngriti shqetësimin për hartën e propozuar nga Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe që sipas tij nuk mund të funksionojë, pasi është një rëndesë e madhe për qytetarët  si në kohë ashtu dhe në financa.

Drafti i hartës së re gjyqësore është hartuar pa u konsultuar më parë me Dhomat e Avokatisë në vend duke mos u krijuar hapësira avokatëve të shprehin mendimin e tyre lidhur me të.

Për avokatin Beqiraj gjykimi i një sërë çështjesh rutinë nga avokatë me eksperiencë, që do të punojnë nën guackën e gjykatës, mund të sillte evitimin e maleve me dosje që krijohen pranë institucioneve të drejtësisë.

Më datë 11 shkurt, pritet që përfaqësuesit e KLGJ-së të zhvillojnë tryezën e tretë të diskutimeve me përfaqësues të Dhomës së Avokatisë Durrës lidhur me hartën e re gjyqësore.    

M.B.