Nga Lorval Petani*

Situata e sotme, tregon më së miri që kjo hartë e re është e dështuar.

Sot më datë 28 janar 2022 ishte vendosur nga përfaqësuesit e KLGJ të mbahej tryeza e tretë për diskutimet mbi këtë hartë të re gjyqësore në qytetin e Durrësit. Në mënyrë të papritur, përfaqësuesit e KLGJ ndryshojnë programin e mbajnë këtë tryezë në Shkodër dhe i njoftuan përfaqësuesit e Dhomës Vendore Durrës vetëm një ditë para.

Kjo gjë, ngjason dhe është pikërisht shembulli konkret i një prej problematikave që do të diskutohej në këtë takim. Rasti i sotëm është tipiku ku një përfaqësues institucioni në një gjykim bën kërkesë për shtyrjen e seancës dhe Avokati që vjen nga cilido qytet i largët i Shqipërisë dhe që ka shtyrë gjyqet në qytetin e tij për t’u përfaqësuar në Gjykatën e Apelit të vetme që propozohet, në Tiranë, gjen këtë kërkesë e gjyqi i shtyhet për një datë tjetër. Ishin të shumtë Avokatët e qytetit të Durrësit e Kavajës që kishin konfirmuar pjesëmarrjen në takimin e sotëm e kishin bërë kërkesë për të shtyrë seancat gjyqësore për të marrë pjesë e diskutuar në këtë takim për temën që i prek drejtpërdrejt.

Projekti është ai shkrirjes së Gjykatës së Apelit Durrës në një të vetme për gjithë Shqipërinë në Tiranë, dhe asaj të Gjykatës së Shkallës së Parë Administrative Durrës, në dy në të gjithë Shqipërinë, një në Tiranë e një në Lushnje.

Kjo hartë e re gjyqësore nuk mund të funksionojë, pasi është një rëndesë e madhe për qytetarët  si në kohë ashtu dhe në financa. Imagjino një shtetas që niset nga çdo qytet i Shqipërisë për të shkuar në Gjykatën e Apelit Tiranë e në pamundësi për të udhëtuar me automjet privat duhet të përdorë linjat e transportit publik, për një gjykim që ka në orën 08.30 – 09.00, e do i duhet të vijë nga Gjirokastra, Saranda, Kukësi apo Vermoshi. Qytetarit do i duhet të niset ose në 3 – 4 të mëngjesit e të vijë deri në vendqëndrimin e autobuzave në hyrje të Tiranës, të marrë një linjë urbane të brendshme të Tiranës për të ardhur deri në qendër, e më pas të marrë një taksi ose të shkojë në këmbë deri në Gjykatën e Apelit dhe atje gjen një kërkesë për shtyrje nga pala tjetër në gjykim, e ky itinerar duhet të përsëritet në kthim e më pas sërish një herë tjetër për seancën e rradhës.

A e kuptoni ç’po i bëni njerëzve me këto ndryshime, po i shkatërroni akoma më keq ekomomikisht, dhe psikologjikisht. Kjo hartë e re është në dëm të qytetarëve, po aq sa është në dëm dhe të vetë institucioneve shtetërore, imagjinoni sa punonjës shteti duhet të udhëtojnë në Tiranë e sa dieta duhet të paguajë shteti për të gjithë këto gjykime ku do jetë palë e duhet të përfaqësohet në Gjykatën e Apelit Tiranë. E njëjta gjë me Drejtorinë e Burgjeve për transportin e të paraburgosurve e të burgosurve për të transportuar nga e gjithë Shqipëria në Tiranë, mjetet që do i duhen, karburanti, togat e shoqërimit etj.

Kaosi i krijuar nga këto projekte të pamenduara nuk dëmton vetëm institucionet shtetërore, që do të shpërdorojnë fondet e tyre të mbledhura nga taksat tona, por dhe individët duke ulur cilësinë dhe përshtatshmërinë e shërbimeve të ofruara dhe garantimin e aksesit në drejtësi, që lidhet me afërsinë e individit me Gjykatën.

Përsa i përket cilësisë së shërbimit mund të merret lehtësisht si shembull dështimi i Gjykatës Administrative të Apelit, e cila aktualisht e mbingarkuar shqyrton çështjet e 3 – 4 viteve më parë.

Shteti duhet t’i garantojë çdo individi, banori të tij të ketë akses në drejtësi, të ketë kohën dhe mundësitë financiare për t’u dëgjuar dhe përfaqësuar.

Por aksesi në drejtësi ka të bëjë dhe me kostot që i duhet individit dhe në Shqipërinë tonë ku nuk ka shërbim publik të transportit, kostot që do t’i duhet të përballojë janë minimumi dyfish.

Problem i madh përveç çështjeve penale dhe tregtare janë dhe çështjet familjare të cilat do t’i ngarkojnë qytetarët me shpenzime shtesë, psikologët …. etj kur në fakt sipas ligjit nuk është e nevojshme.

Ky projekt do të mohojë të drejtën e qytetarëve për të qënë të pranishëm në gjykimin e çështjeve të tyre.

Gjykatat ekzistuese në Rrethin e Durrësit kanë përparësi për shkak të volumit të gjithanshëm dhe rëndësisë që ka ky rreth.

Fakti se ndodhet Porti më i madh në vend, numri i madh i bizneseve që operojnë dhe strukturat e akomodimit dhe hotelerisë që ky rreth ofron, investimet strategjike që po kryhen në Port, etj janë tregues që gjykatat ekzistuese jo vetëm që nuk duhet të shkrihen, por duhet të investohet në shtimin e numrit të gjyqtarëve. Kjo është shumë më e përshtatshme për të gjithë.

Ky projekt duket qartazi që është bërë në nxitim e sipër e i pastudiuar mirë.

U hoq një pjesë e Drejtorisë së Tatimeve, ajo e Borxhit dhe u çua në Tiranë, ku keqtrajtohen qytatarët dhe bizneset për të marrë një zhbllokim, u hoq Kadastra e u çua në Tiranë, po hiqet dhe Porti, tani po i hiqni dhe Gjykatat.

Për ta mbyllur një pyetje kam: A e meritojnë Durrsakët dhe këtë dënim të rradhës?

*Kreu i Dhomës së Avokatisë Durrës