PD zyrtare ka prezantuar sot kandidatin për bashkinë e Durrësit, Luan Hotin, për zgjedhjet e 6 marsit.

Në fjalën e saj Duma tha se ndihet krenare që sot PD ka kandidatët më dinjitoz e të paprekshëm nga korrupsioni, duke e cilësuar këtë si një arritje të madhe.

“Tashmë ne e dimë që me njeriun e duhur bëhen gjërat e duhura.

Ne e dimë që gjithçka nis nga njerëzit, kam krenarinë të them sot se PD ka trupën më dinjitoze të kandidatëve, më të papërlyer, më të paprekshme nga korrupsioni dhe kjo është fillimi i një arritje të madhe.

Unë e di që të gjithë keni vuajtur një bashki që jo vetëm nuk i ka shërbyer durrsakëve , por edhe i ka ofenduar.

Që i gjithë stafi i bashkisë, të jetë bandë, vandal, ajo kandidatja është një njeri që është marrë peng nga ai klani dhe i përgjigjet atij klani, por kjo nuk do të thotë që këta të marrin peng Durrësin.

Patjetër kemi përballë një betejë të njerëzve non-grata që nuk hyjnë dot në institucionet e këtij vendi, dhe ne do të tregojmë se më në fund do të kemi në krah njerëz të vlerave të vërteta.

Sot kemi një çelës të madh në dorë, çelësin e të vërtetës”, tha Duma.

Ndërkohë fjalën e tij e mbajti edhe deputeti Agron Gjakmarkaj, i cili iu tha demokratëve, se sot kanë ardhur për kryetarin e ri të bashkisë së Durrësit, Luan Hotin.