Deputeti i PD Oerd Bylykbashi, në fjalën e mbajtur në Durrës, ku u prezantua kandidati i “Shtëpisë së Lirisë” Ardian Muka, deklaroi se 6 marsi është datë shumë e rëndësishme për qytetarët durrsakë dhe shqiptarët në përgjithësi.
Bylykbashi theksoi se me votën e qytetarëve, duhet që më 6 mars ta kthejmë Durrësin në qytet modern.
“T’ia heqim nga duart një klike të korruptuar. Një klikë socialiste që turpëron dhe socialistët e thjeshtë. Të gjitha ata që nuk kanë përfituar asgjë në 22 vite nga qeverisja socialiste.
Ky takim duhej të ndodhte 3 vite më parë për të fituar bashkinë e Durrësit. Bashkia e krimbur. Ata nuk patën mundësi të zgjidhnin kryebashkakun e ri. Atë e emëroi Edi Rama. Lulzim Basha ka dashur ta marrë pushtetin me kulisa, jo me zgjedhje, si ato që u panë dje në parlamentin e Shqipërisë.
Vendimi i tij na hoqi votën për ta kthyer Durrësin te qytetarët e tij.
Në 11 dhjetor u ndamë nga politika e kulisave. Kjo duhet të jetë forma, vota.
Kandidati që do të na përfaqësojë të jetë çuni durrsak dhe aktivisti i rritur, Ardian Muka. Nuk vendosi vula e kryetarit, por vota e demokratëve.
Më shumë se politikan, Ardian Muka ka vizion për mirëqeverisjen e qytetit dhe që i dhemb masakra urbane dhe e trashëgimisë kulturore. Është sipërmarrësi që ka vujtuar nga monopolizmi në këtë qytet.
6 marsi është një moment i rëndësishëm historik për kthimin e pluralizmit në Shqipëri. Sa kohë që Rama mban Bashën në zyrë, sa kohë mban peng logon dhe vulën në dorën e Bashës është vdekje klinike.
Çdo votë për kandidatët e Bashës, janë vota që do hidhen në kosh. Logoja do të ishte buzëqeshja plastike e Lulzim Bashës. Përballja jonë është me pushtetin socialist.
Bashkohemi në një logo të re, që është ‘Shtëpia e Lirisë’, që bën bashkë aleatët tanë.
Do të marrim përsipër shkëputjen e bashkisë nga pushteti arrogant“, tha Bylykbashi.