Një punëtor sllovak,  Jaroslav Marnka, vdiq dhe një tjetër është shtruar në spital në gjendje shumë të rëndë, pasi ranë në gropën e ashensorit, teksa instalonin kabinën në një ndërtesë në Milano.

Aksidenti ka ndodhur në një pallat në Viale Monza, ku dy punëtorët ranë nga një lartësi prej rreth 20 metrash .

Viktima, 55 vjeç, ka ndërruar jetë menjëherë, ndërsa kolegu 26-vjeçar është dërguar në spital. Prokurori hapi dosjen për vrasje nga pakujdesia dhe urdhëroi autopsinë  e trupit të viktimës, raporton tgcom.

Në vendngjarje, përveç zjarrfikësve, kanë ndërhyrë edhe ekipet e shpëtimit dhe policia. Të dy po punonin në çatinë e ashensorit kur litari u këput dhe ata ranë të dy.

“Nuk ishin të lidhur si duhet” , thanë kolegët e pranishëm në momentin e ngjarjes.