Rusia të mërkurën (16 shkurt) tha se stërvitjet ushtarake në Krimenë e aneksuar nga Moska kanë përfunduar dhe se ushtarët po ktheheshin në garnizonet e tyre, një ditë pasi njoftoi tërheqjen e parë të trupave nga kufijtë e Ukrainës.
“Njësitë e Qarkut Ushtarak Jugor, pasi kanë përfunduar pjesëmarrjen e tyre në stërvitjet taktike, po lëvizin në pikat e tyre të përhershme të vendosjes”, tha në një deklaratë Ministria e Mbrojtjes e Moskës.
Televizioni shtetëror tregoi imazhe të njësive ushtarake që kalonin një urë që lidh gadishullin e kontrolluar nga Rusia me Rusinë.
Në deklaratë thuhej se tanket, automjetet e këmbësorisë dhe artileria po largoheshin nga Krimea me hekurudhë.
Kjo vjen një ditë pasi Moska tha se po tërhiqte disa nga trupat e dislokuara në kufijtë e fqinjit të saj.
Por liderët perëndimorë mbeten të shqetësuar se Rusia mund të nisë ende një sulm ndaj Ukrainës, me presidentin amerikan, Joe Biden i cili paralajmëroi të martën se një sulm nga Moska mbetet “një mundësi reale”.
Biden tha se pavarësisht pretendimeve ruse më herët gjatë ditës, Uashingtoni dhe aleatët e tij ende nuk kanë verifikuar tërheqjen e ndonjë prej dhjetëra mijëra trupave që ai thotë se Moska tani ka mbledhur përgjatë kufirit të Ukrainës.
Nëse Rusia pushton Ukrainën, kjo nuk do të ishte hera e parë.
Rusia ka aneksuar Gadishullin ukrainas të Krimesë në 2014-n.
Ky vend po ashtu mbështet rebelët në konfliktet në rajonet lindore të Ukrainës, në të cilat kanë vdekur rreth 14,000 persona.





