Policia amerikane ka gjetur të gjallë një vajzë të vogël, e cila rezultonte e zhdukur prej dy vitesh.
Paislee Shultis, tani 6 vjeçe, ishte katër vjeçe kur u zhduk mistershëm nga shtëpia e kujdestarëve të saj ligjorë në korrik 2019.
Të hënën në mbrëmje, pas një denoncimi, ajo u gjet në shtëpinë e gjyshit të saj biologjik në Saugerties, Nju Jork.
Vajza mbahej në një dhomë të vogël sekrete, të ftohtë dhe të lagësht, vendosur nën një shkallë bodrumi, të cilën hetuesit e gjetën pas katër orësh kërkimi.
Ka qenë policia e Saugerties ajo që ka bërë të ditur lajmin të martën, duke shpërndarë një foto nga vendi ku fshihej vajza bashkë me nënën e saj biologjike.
Policia dyshonte prej kohësh se prindërit biologjikë të vajzës qëndronin pas zhdukjes së vogëlushes, por asnjëherë nuk kishin mundur ta vërtetonin këtë. Vetëm të hënën mësuan se vajza ndodhej në shtëpinë e gjyshit të saj biologjik, në Hudson Valley.
Dhomë sekrete
Me një urdhër kontrolli, hetuesit shkuan atje. Pas katër orësh kërkimi, vëmendja e detektivit Erik Thiele u tërhoq nga një shkallë në pjesën e pasme të shtëpisë që të çonte në bodrum.
Ai krijoi përshtypjen se shkallët ishin ndërtuar në një mënyrë të çuditshme dhe se diçka nuk shkonte. Duke e kontrolluar me një fener, ai dalloi një batanije midis të çarave të shkallëve prej druri.
Hetuesit hapën disa shkallë dhe papritmas panë para tyre një dhomë të fshehtë. Pak më vonë vajza dhe nëna e saj biologjike u gjetën brenda dhe u nxorën jashtë.
Shefi i policisë Joseph Sinagra i tha gazetës lokale Daily Freeman se vajza qëndroi e qetë gjatë gjithë kontrollit. Sipas tij, vendi i fshehjes ishte “përdorur rregullisht”.
E vogla është shëndoshë e mirë
Policia beson se vajza e vogël është dërguar në atë shtëpi që nga zhdukja e saj. Ajo u dërgua në komisariat dhe më tej u kontrollua nga mjekët. Vajza e vogël rezultoi të ishte mirë me shëndet.
Sipas z. Sinagra, Paislee Shultis jetonte mirë, por nuk ndiqte mësime parashkollore. Vajza e vogël u kthye në familjen e saj kujdestare dhe u ribashkua me motrën. Kur u panë, e vogla e zhdukur e kishte njohur motrën e saj të madhe.
Rrugës, makina e policisë me të cilën ajo udhëtoi, kaloi pranë një McDonald’s. Vajza ishte shumë e emocionuar dhe tha se kishte shumë kohë që nuk kishte ngrënë atje. Policët u ndalën dhe njëri prej tyre dhe porositi ushqim për vajzën.
Shkelja e të drejtave të kujdestarisë dhe rrezikimi i mirëqenies së fëmijës
Më shumë se dy vjet më parë, pak para se të ndodhte zhdukja, Paislee u vendos në kujdestari në Cayuga Heights, Nju Jork, me motrën e saj më të madhe. Kjo e fundit ishte në shkollë kur prindërit e saj biologjikë Kimberly Cooper dhe Kirk Shultis Jr. rrëmbyen vajzën e tyre.
Prindërit biologjikë akuzohen për mosrespektim të të drejtave të kujdestarisë dhe për rrezikim të mirëqenies së një fëmije.

Tronditëse ishte deklarata e gjyshit 57 vjeçar të së voglës. Ai i tha policisë se nuk e kishte parë mbesën e tij prej dy vitesh dhe nuk e kishte idenë se ajo fshihej poshtë shkallëve, raporton revista amerikane “People”.





