Deri më sot kemi dëgjuar për muze nëntokësor apo për qytete të nëndheshme, por jo për të gjithë nëntokën e një qyteti të shpallur muze.

Video e radhës e serisë “Kultura në 1 minutë” trajton një vendim unikal të vitit 1961, ku qeveria e kohës e shpalli të gjithë nëntokën e qytetit të Durrësit muze, duke e bërë gati të paprekshme nga dëmtimet e mundshme të arkeologjisë.

Vendimi i Këshillit të Ministrave (VKM) numër 172, i datës 2 qershor 1961, ndër të tjera në pikën e parë përcaktoi se pjesa e vjetër e qytetit të Durrësit dhe nëntoka të shpallen muze. Pamja e vendimit publikohet për herë të parë nga Media Amfora.

Mësoni më shumë për rëndësinë ligjore të kësaj VKM-je përmes intervistës me juristën Erisilda Shpata dhe se çfarë efekti ka ky vendim në ditët e sotme./Amfora.al/