Albano Aleksi është i ndërgjegjshëm për momentin jo të mirë që po kalon Teuta këtë sezon, por titullari i kampionëve, në të njëjtën kohë, ka bindjen se ekipi do të bëjë kthesën e madhe në rezultate, duke filluar nga ndeshja e së dielës kundër Dinamos. Trajneri analizoi ecurinë e skuadrës së fundmi.

Albano, pas një ecurie jo të mirë në kampionat javët e fundit, a është gati Teuta për të bërë kthesën në duelin ndaj Dinamos?

Po, pa diskutim. Unë mendoj se kemi nxjerr mësimet e duhura nga ndeshja e fundit me Vllazninë. Po mundohemi të jemi gati të dielën, duke lënë pas javët jo të mira dhe të marrim tri pikët. E kemi të qartë se nuk ka ndeshje të lehta, pasi këtë kampionat çdo rival është i fortë.

Një trepikësh këtë javë do t’ju qetësonte për t’u larguar një herë e mirë nga grupi i skuadrave të poshtme në tabelë?

E dimë që është shumë e rëndësishme fitorja ndaj Dinamso, sidomos pas asaj humbjeje që bëmë në javën e kaluar. Kemi humbur dy ndeshje radhazi dhe kemi fituar në kupë, kështu që duhet të vijomë të punojmë fort që të arrijmë te suksesi. I kemi të gjitha mundësitë për të bërë kthesën.

Si po e përgatisni ndeshjen, çfarë duhet të keni më shumë kujdes?

Sigurisht që duhet të kujdesimi më shumë në aspektin mbrojtës, por gjithashtu të shfrytëzojmë edhe rastet që na paraqiten. Personalisht mendoj se nuk do t’i përsërisim gabimet e ndeshjeve të fundit.

Si Teuta dhe Dinamo vijnë në këtë ndeshje pas momenteve jo të mira. Sa ua vështirëson kjo?

Sigurisht që për të dyja ekipet është një situatë pak e vështirë. Unë mund të flas për Teutën, jo Dinamon. Pavarësisht rezultateve jo të mira, me bindje e them se në skuadër mbizotëron besimi dhe entuziazmi, që na jep shpresë për të fituar ndeshjen e ardhshme.Distanca me ekipet e vendeve që të çojnë në Europë është thelluar shumë… Në këtë moment që ndodhemi, nuk duhet të mendojmë për diferencën me ekipet e vendeve të sipërme. Duhet të mendojmë të fitojmë takimet tona të radhës, duke u rritur ndeshje pas ndeshje.

Ku e shikoni Teutën në fund të këtij sezoni?

Qëllimi primar është përmirësimi në lojë dhe rezultate. Duhet t’i marrim ndeshjet me radhë dhe të fitojmë sa më shumë të jetë e mundur në kampionat. Llogaritë do t’i bëjmë në fund të sezonit, por ne nuk dorëzohemi. Do të japim gjithçka, si në kampionat dhe kupë.